Cara Delevingne rrëfen dramën e jetës / “Kur u zgjova në spital, nuk doja të jetoja më”

Modelja dhe aktorja britanike Cara Delevingne ka bërë një rrëfim tronditës për betejën e saj me varësinë nga droga, duke zbuluar se një mbidozë e çoi pranë vdekjes dhe i ndryshoi përgjithmonë jetën.
E ftuar në podcastin “The Louis Theroux Podcast”, 33-vjeçarja tregoi se përfundoi në spital pasi konsumoi kokainë që dyshohet se ishte e përzier me opioide. Mjekët ndërhynë me nalokson për t’i shpëtuar jetën.
“Kur hapa sytë në spital, nuk doja të jetoja më. Të shihja dhimbjen në fytyrat e njerëzve që doja ishte gjëja më e rëndë që kam përjetuar”, u shpreh ajo.
Delevingne foli edhe për fotot e vitit 2022 pas festivalit Burning Man, të cilat bënë bujë në mbarë botën. Ajo zbuloi se pak para se të fotografohej kishte pësuar një krizë epileptike të shkaktuar nga përdorimi i lëndëve narkotike.
Sipas modeles, publikimi i atyre imazheve pati pasoja të rënda në karrierën e saj, duke bërë që të humbiste kontrata pune dhe të përballej me shqetësimin e familjarëve dhe miqve.
Sot, Cara Delevingne thotë se ajo periudhë e errët u bë pika e kthesës që e shtyu të kërkonte ndihmë profesionale dhe të niste rrugën drejt rehabilitimit, me shpresën që historia e saj të shërbejë si një mesazh ndërgjegjësues për këdo që lufton me varësinë.


