Debate në Komision për 4.3 mln euro për Kanye West / Zhupa: Shteti ka halle më të mëdha, Gonxhe: Ishte vendim i ligjshëm
Një debat i tensionuar është zhvilluar në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën mes ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, dhe deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Përplasja u fokusua te akti normativ i qeverisë për financimin me 4.3 milionë euro të koncertit të Kanye West, një vendim që opozita e ka kundërshtuar duke ngritur pikëpyetje mbi urgjencën dhe përdorimin e fondeve publike.
Zhupa kërkoi shpjegime nga ministri lidhur me arsyet që çuan në përdorimin e aktit normativ për këtë financim, duke argumentuar se një mekanizëm i tillë ligjor parashikohet për situata të paparashikuara dhe emergjente, jo për organizimin e një koncerti.
“Aktet normative jepen për nevoja të paparashikueshme, për emergjenca, për situata të rënda. Një koncert nuk është një emergjencë”, u shpreh Zhupa gjatë debatit në komision.
Deputetja opozitare ngriti edhe shqetësime mbi prioritetet e përdorimit të parave publike, duke përmendur problematika të tjera me të cilat përballet vendi, si mungesa e mjeteve për përballimin e zjarreve, nevojat në sistemin shëndetësor dhe kushtet në disa shkolla.
Nga ana tjetër, ministri Blendi Gonxhe mbrojti vendimin e qeverisë, duke argumentuar se financimi u bë përmes një procedure të ligjshme dhe se akti normativ garantoi mbështetjen e nevojshme për realizimin e eventit.
“Administrata ka vepruar sipas aktit normativ. Me botimin në Fletoren Zyrtare është e qartë, ndryshe nuk do të ishte i autorizuar as kalimi në thesar”, u shpreh Gonxhe.
Sipas ministrit, debati nuk duhet të përqendrohet vetëm te aspektet teknike të procedurës, pasi eventi është zhvilluar dhe ka përfunduar me sukses nga ana organizative.
“Nëse do të kishte ndodhur një mosrealizim i eventit, atëherë do të diskutonim për pasojat. Sot kemi një event të kryer, me datë, orë dhe pjesëmarrës të realizuar”, tha ministri.
Përplasja vijoi edhe për rolin e Parlamentit në miratimin e aktit normativ. Zhupa ngriti skenarin nëse Kuvendi do të vendoste kundër këtij financimi, ndërsa Gonxhe u përgjigj se kjo situatë nuk është aktualisht në diskutim, pasi eventi tashmë është zhvilluar.
Në fund të debatit, ministri iu përgjigj edhe akuzave për mungesë njohjeje të problemeve të qytetarëve, duke kujtuar se është deputeti më i votuar në zgjedhjet e fundit nga listat e hapura dhe se përballet çdo ditë me shqetësimet e qytetarëve.



