SKANDALI NË POSTËN E DURRËSIT/ Pamjet tregojnë si vidhnin paratë e pensioneve dhe asistencës
Kamerat e sigurisë në Postën e Durrësit kanë fiksuar lëvizjet e tre ish-zyrtareve të dyshuara për përvetësimin e 69 milionë lekëve nga fondi i pensioneve dhe ndihmës sociale. Njëra prej tyre u la në burg, ndërsa dy të tjerat në arrest shtëpie.
Kamerat e sigurisë në filialin e Postës Shqiptare në Durrës kanë fiksuar lëvizjet e tre ish-drejtueseve të dyshuara për përvetësimin e 69 milionë lekëve, të destinuara për pensionet dhe ndihmën sociale në degët e Shijakut dhe Krujës.
Pamjet, të administruara në dosjen hetimore, tregojnë komunikimet dhe veprimet e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj, ish-shefes së financës Valbona Duni dhe ish-arkëtares Paola Dana brenda ambienteve të filialit.
Në një prej episodeve, Valbona Duni shfaqet duke marrë nga arka një thes me vlera monetare dhe duke e çuar fillimisht në zyrën e saj e më pas në atë të drejtoreshës.
Në një tjetër moment, ajo fiksohet me një qese plastike ku, sipas dosjes, ndodheshin rreth dhjetë tufa me kartëmonedha 5-mijëlekëshe.
Hetimet kanë evidentuar disa lëvizje të shumave të mëdha të parave në kundërshtim me procedurat dhe rregulloren e institucionit.
Në dokumentacion janë konstatuar edhe urdhërpagesa për degët e Shijakut dhe Krujës, me firma që dyshohet se janë falsifikuar.
Sipas Prokurorisë, gjatë muajve prill dhe maj 2026, të dyshuarat përvetësuan 69 milionë lekë të rinj, ose mbi 700 mijë euro, që kishin dalë nga thesari, por nuk mbërritën në destinacion për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Tre ish-zyrtaret u ndaluan në kuadër të operacionit të koduar “Filiali”, për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, e kryer në bashkëpunim. Gjykata caktoi masën “arrest në burg” për Elisabeta Matajn, ndërsa Valbona Duni dhe Paola Dana u lanë në “arrest shtëpie”.

