Bardhi: Rritja e pagave vendim i vonuar, PD do ta votojë edhe pse i bazuar në motive elektorale-politike
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi sot, nga forltorja e Kuvendit se, “Partia Demokratike do ta votojë pr. ligjin për rritjen e pagave për punonjësit e administratës, megjithëse ky është një vendim tejet i vonuar”.
“Nuk ka asnjë dyshim që vota e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për këtë projektligj është Pro. Pro me të dyja duart, sepse jetesa është bërë shumë e vështirë nga rritja e çmimeve. Por për fat të keq, ky vendim sot është shumë i vonuar dhe i pastudiuar”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi i kërkoi kryeministrit Rama që në vend që të merret me opozitën duhet t’u shpjegojë shqiptarëve, për “non-gratën” Tom Doshi, falë të cilit mori zgjedhjet.
“Shpjegove rezultatin e opozitës, por nuk shpjegove rezultatin të aleatit tënd “non-grata” Tom Doshin. Se në fakt konkluzioni më domethënës është rezultati i aleatit politik të Ramës, “non-grata” PSD e Tom Doshit. Ai është thelbi i pushtetit të Ramës, një këmbë të pushtetit në Durrës iia ka ngarkuar Vangjush Dako i damkosur “non-grata”, një në Shkodër Tom Doshi. Në vend të japë llogari për masakrën që bëri më 14 maji, merret me opozitën”, tha Bardhi.
Bardhi theksoi se, Rama duhet të jepte shpjegime se, pse në 10 vite nuk ka sjell në Kuvend asnjë projektligj për rritje pagash edhe pse çmimet janë dyfishuar.
“Partia Demokratike do ta miratojë sot rritjen e pagave, edhe pse ky është një akt shumë i vonuar, i pastudiuar dhe i bazuar në motive elektorale-politike. Por sot është dita që ne të ngremë zërin edhe për pensionistët. Ata duhet të ishin të parët në vlerësim, por mbeten gjithmonë të fundit. Na thonë se nuk kanë parà! Por parà kanë mjaftueshëm. Duhet që të mos i vjedhin! Mjaft të kujtojmë se vetëm në tubat e sobës së pastrueses së një drejtoreshe të Edi Ramës, u gjetën 500 mijë euro korrupsioni dhe llogaritë janë të qarta si drita e diellit”, theksoi Bardhi.