Zbulohet kasti i plotë i filmit për Beatles, Ben Schwartz mes yjeve të projektit!

Aktori amerikan Ben Schwartz i është bashkuar kastit të projektit ambicioz kinematografik “The Beatles: A Four-Film Cinematic Event”, i cili do të tregojë historinë e grupit legjendar britanik nga katër këndvështrime të ndryshme.
Schwartz do të interpretojë rolin e Murray the K, një disk-xhokej i njohur nga Nju Jorku, i cili u afrua me The Beatles gjatë vizitës së tyre të parë në Shtetet e Bashkuara në vitet 1960.
Ai i bashkohet një kasti të pasur artistësh, ku Paul Mescal do të luajë Paul McCartney, Harrison Dickinson do të interpretojë John Lennon, Barry Keoghan do të luajë Ringo Starr, ndërsa Joseph Quinn do të shfaqet në rolin e George Harrison.
Në film do të marrin pjesë gjithashtu Saoirse Ronan, Anna Sawai, Aimee Lou Wood dhe Mia McKenna-Bruce, të cilat do të interpretojnë respektivisht Linda McCartney, Yoko Ono, Pattie Boyd dhe Maureen Starkey.
Regjinë e projektit e mban fituesi i çmimit Oscar, Sam Mendes, i njohur për filmat American Beauty dhe 1917.
Ndërkohë, Harry Lloyd do të luajë producentin legjendar të grupit, George Martin, ndërsa është konfirmuar edhe pjesëmarrja e James Norton në rolin e menaxherit të Beatles, Brian Epstein.
Secili nga katër filmat do të tregojë historinë e grupit nga perspektiva e një anëtari të ndryshëm, duke ndjekur rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Beatles nga Liverpool drejt qendrës së kulturës globale, deri te shpërbërja e grupit në vitin 1970.
Ky projekt shënon herën e parë që kompania Apple Corps Ltd. dhe vetë Beatles kanë dhënë të drejtat e plota të historisë së tyre dhe të muzikës për një film artistik të skenarizuar.
Filmat po xhirohen aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar nën produksionin e Sony Pictures dhe kompanisë së Mendes, Neal Street Productions. Të katër filmat pritet të dalin në kinematë botërore në prill të vitit 2028. /kultplus

