NAFTA BIE PAS MARRËVESHJES/ Tregjet reagojnë pozitivisht ndaj rihapjes së Ngushticës së Hormuzit
Marrëveshja e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka sjellë reagime të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm pas njoftimit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë. Investitorët e kanë mirëpritur lajmin, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se normalizimi i plotë i qarkullimit detar dhe furnizimeve me naftë mund të kërkojë ende kohë.

Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit ka sjellë reagim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e naftës shënuan rënie të ndjeshme në tregtinë aziatike, pas njoftimit për arritjen e një marrëveshjeje kornizë që pritet të çojë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Nafta e papërpunuar Brent ra me gati 5 për qind, duke zbritur në 83 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane humbi më shumë se 5 për qind të vlerës së saj. Tregjet reaguan pozitivisht ndaj mundësisë së rikthimit të lëvizjes normale të anijeve në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë dhe gaz të lëngshëm, ishte bllokuar praktikisht që nga përshkallëzimi i konfliktit në fund të muajit shkurt. Gjatë muajve të fundit, tensionet në rajon kishin çuar çmimin e naftës nga rreth 70 dollarë në afro 120 dollarë për fuçi.
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se "nafta do të rrjedhë" sapo të nënshkruhet marrëveshja, edhe pse çmimet e naftës kanë rënë që nga njoftimi
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rikthimi i plotë i trafikut detar dhe i eksporteve energjetike nuk do të jetë i menjëhershëm. Pastrimi i minave detare dhe normalizimi i qarkullimit të cisternave mund të zgjasë nga disa javë deri në disa muaj.
Ndërkohë, edhe bursat aziatike reaguan pozitivisht. Indeksi Nikkei në Japoni dhe Kospi në Korenë e Jugut u rritën me më shumë se 5 për qind, ndërsa investitorët e konsideruan marrëveshjen si një sinjal për uljen e rreziqeve në ekonominë globale.

