Baçi: Heqja e “non gratës” nuk mjafton, duhet transparencë e plotë për dosjen e Berishës!
Analisti Agim Baçi ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me statusin e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se çështja nuk duhet të reduktohet vetëm te mundësia e udhëtimit të tij në Amerikë, por te sqarimi i plotë i akuzave që kanë shoqëruar shpalljen “non grata”.
I ftuar në një intervistë televizive për "Ora News", Baçi u shpreh se do të ishte një lajm pozitiv për Shqipërinë nëse statusi i Berishës do të ishte zgjidhur përfundimisht, por shtoi se ende ka shumë paqartësi mbi arsyet dhe pasojat e vendimit.
Sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë nëse Berisha konsiderohet ende nga SHBA si një person që ka minuar demokracinë apo është përfshirë në korrupsion, pasi ky është thelbi i debatit publik.
“Për votuesit shqiptarë nuk është me interes nëse Sali Berisha udhëton apo jo drejt SHBA-së, por nëse ai konsiderohet ende apo jo si minues i demokracisë. Ky është thelbi i çështjes”, u shpreh Baçi.
Ai kujtoi se edhe më herët ka kërkuar hapjen e plotë të dosjes së Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke e konsideruar këtë shumë më të rëndësishme se vetë heqja e kufizimeve për udhëtim.
Baçi theksoi se transparenca do t’i shërbente jo vetëm Berishës personalisht, por edhe Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi. Sipas tij, një opozitë e fortë dhe e qartë është element i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë në vend.
Analisti vuri në dukje gjithashtu se vetë Berisha ka minimizuar shpesh rëndësinë e statusit “non grata”, ndërsa tani po e paraqet si një zhvillim të madh mundësinë për të udhëtuar në SHBA, duke krijuar sipas tij një kontradiktë në qëndrime.
Në fund, Baçi nënvizoi se mbeten ende shumë pikëpyetje mbi atë se çfarë është hequr dhe çfarë vazhdon të mbetet në fuqi nga vendimi amerikan, duke kërkuar më shumë qartësi dhe sqarime publike për këtë çështje.
Agim Baçi:Nuk ishte një lajm i mirë për Shqipërinë, që të kishte një ish-kryeministër, një president non grata. Dhe shpresoj që lajmi të jetë tërësisht i vërtetë, megjithëse ka shumë dritëhije , nuk kam dyshime, po lexova deklaratën që thoshte pjesërisht për arsye interesi kombëtar të SHBA, por nuk ka një deklaratë siç ishte vënia e non gratës, ose të paktën nuk ka një shpjegim deri më sot, që ekziston apo jo në thelb, vazhdon të ekzistojë apo jo në thelb një pjesë e asaj që ka të bëjë me non gratën.
Sepse ishte me deklarata goxha të forta si minues i demokracisë, për korrupsion. Domethënë, ne duam të dimë për votuesit shqiptarë nuk është me interes a udhëton apo nuk udhëton Sali Berisha drejt SHBA-së, por është apo nuk është, dhe a konsiderohet apo nuk konsiderohet më, një njeri që rrezikon demokracinë, domethënë minues i demokracisë apo jo. Ky është thelbi për mua. Pra një udhëtim në SHBA, do ishim naiv të mendonim që rikthen të gjithë qenien. Por nëse do të kishim një deklaratë të plotë që Sali Berisha nuk konsiderohet më minues i demokracisë, nuk e di pastaj si do të jetë kjo pjesa tjetër për korrupsionin e me radhë.
Për hir të së vërtetës ne kemi qenë këtu në një studio, domethënë në studion tuaj, me zotin Berisha përballë para zgjedhjeve të vitit të shkuar, dhe ku kam qenë i qartë dhe vazhdoj të jem i qartë për një gjë që i kam thënë: 1.6 milion dollarë, po dhe 16 milion dollarë, poR me një kusht që t'i kërkohej Departamentit Amerikan të Shtetit të hapej dosja.
Dhe një hapje e dosjes së tij është më e rëndësishme sesa një udhëtim i tij. Sepse në qoftë se ti je i bindur që ta ka bërë kundërshtari yt politik, atëherë ti ke dhe një shans politik që ta kërkosh këtë hapje, aq më tepër që kanë ardhur partnerë atje, ta kërkosh këtë hapjen e dosjes.
Po patjetër, do ishte në interesin e Partisë Demokratike. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për fatin e Sali Berishës. Ai e zgjidh vetë fatin e tij personal. Këtu bëhet fjalë për demokracinë, për opozitën, për një gjë shumë të rëndësishme të demokracisë që është një opozitë e fortë.
Dhe shqiptarët ishin të bindur që pavarësisht përpjekjes që bëri zoti Berisha dhe deri diku ia arriti të zhbëjë non gratën, sidomos përballë mbështetësve të tij, dhe sot po e bën kaq të madhe, në fakt është në kundërshtim me vetveten. Sepse e ke zhvlerësuar dhe tani e konsideron një gjë shumë të madhe të udhëtosh në Amerikë.
Dhe në fakt është e vërtetë që ne nuk mund të mendojmë dot që të kemi një kandidat për kryeministër që nuk shkon dot në mbledhjet e NATO-s, që nuk shkon dot në mbledhjet e BE-së, që nuk takohet me SHBA-në. Ne kemi qenë një vend që kemi parë të paktën që nga viti 1990 nga SHBA-ja, për një drejtim, orientim politik. Do ishim naiv të gëzoheshim nëse udhëton apo jo Sali Berisha për disa arsye në Amerikë.
Nëse njihet apo jo zoti Berisha jo vetëm si kryetar i Partisë Demokratike në atë diskutim që ne po bënim deri më tani, se një diskutim i gjerë ka qenë përgjatë këtyre kohëve edhe a e takon ose kush nuk e takon zotin Berisha kur vjen këtu nga delegacionet evropiane. Në Amerikë në qoftë se nuk shkon dhe nuk takohet me persona të rëndësishëm, i bie që të jetë një udhëtim turistik.
Nuk është se ka të bëjë me këtë gjë sepse bie versioni që shkel apo nuk shkel në SHBA dhe akuza që i është bërë nga kundërshtari politik ka qenë a e shkel ti apo jo Atlantikun. Por mendoj që ka shumë dritëhije. Edhe vetë zoti Berisha sot nuk ka arritur dot të sqaronte përfundimisht se cila është pjesa që ka mbetur dhe cila është pjesa që është hequr, sa e rëndësishme është ajo.
E la të kuptohet që lobimi ka qenë i rëndësishëm, dhe bie ai versioni që ky lobimi ka qenë për partneritet mes Partisë Demokratike. Ka qenë mirëfilli dhe në fakt edhe me të drejtë, sepse në qoftë se flasim, u integrua te Partia Demokratike dhe nuk është ashtu domethënë kryetari nuk ka kuptim.
Ose nuk je ose je kryetar, pra ti e përfaqëson, ti je logo, ti je përfaqësuesi, kështu që është shumë e rëndësishme në këtë lloj pike.


