Ibrahimaj për Sazanin: Negociata për bashkëinvestim në ishull

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka konfirmuar se puna për ishullin e Sazanit ka nisur, ndërsa projekti ndodhet ende në fazë negociatash mes shtetit shqiptar dhe një kompanie private të përfshirë në planin e investimit.

E pyetur nga gazetarët nëse ekziston realisht një projekt konkret për ishullin, ministrja sqaroi se diskutimet po fokusohen kryesisht te përqindja që shteti do të ketë si bashkëinvestitor, duke theksuar se Sazani do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar.

“Në Sazan kemi filluar punën për të bërë disa veprime në lidhje me zhvillimin e zonës. Sazani është një ishull i cili do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar.

Shteti do të futet si bashkëpronar, bashkëinvestitor. Jemi duke negociuar me kompaninë për përqindjen që do të ketë shteti shqiptar. Sapo të kemi një pasqyrë më të qartë, do t’i bëjmë transparente.,” u shpreh Ibrahimaj.

Por deklaratat për Sazanin vijnë në një moment kur në Tiranë dhe disa qytete të tjera vijojnë protestat kundër projekteve të konsideruara si pjesë e një vale të re zhvillimesh që prekin zonat publike dhe bregdetare.

Aktivistë dhe qytetarë kanë ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe për mënyrën se si po jepen hapësira strategjike për investime private.

Megjithatë, pavarësisht zërit të protestës në rrugë, në qeveri mesazhi duket i pandryshuar: projektet vazhdojnë.

Kryeministri Edi Rama, vijon të shtyjë përpara atë që përmban “libri i tij rozë” i zhvillimit me projekte, ku ritmi i investimeve nuk ndalet nga presioni i sheshit apo thirrjet e protestuesve apo ndërkombëtarët.

EMISIONET