Izraeli drejt njohjes zyrtare të gjenocidit armen, Turqia reagon ashpër

Qeveria e Izraelit miratoi njëzëri dje propozimin për të cilësuar si gjenocid, masakrat ndaj armenëve, të kryera nga Perandoria Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, raportoi AP.
Vendimi duhet ende të marrë miratimin e parlamentit izraelit (Knesset-it), por konsiderohet një hap me peshë politike, që pasqyron përkeqësimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Turqisë.
Ankaraja ka ushtruar prej vitesh presion diplomatik ndaj vendeve, që të mos i njohin zyrtarisht, vrasjet masive të armenëve të vitit 1915, si gjenocid.
Historianët vlerësojnë se deri në 1,5 milionë armenë u vranë nga osmanët gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, në atë që shumë studiues, e konsiderojnë gjenocidin e parë të shekullit XX.
Turqia e kundërshton këtë cilësim, duke argumentuar se numri i viktimave është ekzagjeruar dhe se të vrarët, humbën jetën në rrethana lufte civile dhe trazirash.
Për dekada me radhë, Izraeli shmangu njohjen zyrtare të gjenocidit armen, për të mos cenuar marrëdhëniet me Turqinë.
Megjithatë, raportet mes dy vendeve, janë përkeqësuar ndjeshëm, gjatë dy dekadave të fundit, veçanërisht për shkak të luftërave në Gaza, Liban dhe Iran.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, i cili paraqiti propozimin në qeveri, tha se, pavarësisht dokumentacionit të gjerë historik, gjenocidi armen vazhdon të jetë objekt i një fushate të organizuar mohimi dhe minimizimi, kryesisht nga qeveria turke.
Saar theksoi se udhëheqës izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, e kanë cilësuar më parë, dhunën ndaj armenëve si gjenocid, por kjo nuk ishte miratuar kurrë zyrtarisht përmes një votimi në Knesset.
“Nuk është kurrë vonë për të bërë atë që është e drejtë”, deklaroi ai, duke e cilësuar vendimin një “detyrim moral dhe historik”.
Sipas Saar, 32 shtete, mes tyre Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Siria dhe Libani, e kanë njohur tashmë, zyrtarisht gjenocidin armen. Ende nuk është bërë e ditur se kur propozimi do t’i paraqitet parlamentit për votim.
Turqia reagoi menjëherë, duke e cilësuar vendimin e Izraelit si një hap “të motivuar politikisht”, që synon të largojë vëmendjen nga veprimet e Izraelit ndaj palestinezëve.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme turke akuzoi qeverinë izraelite, se po përpiqet të mbulojë “krimet e saj”, duke iu referuar procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me akuzat për gjenocid në Gaza.
Deklarata përmendi gjithashtu urdhërarrestet e lëshuara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve të tjerë izraelitë, në kuadër të hetimeve për krime të dyshuara ndaj palestinezëve.
Izraeli dhe Turqia dikur ishin aleatë të ngushtë, por marrëdhëniet u përkeqësuan me ardhjen në pushtet të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, duke bërë që Izraeli të rishqyrtojë qëndrimin e tij për çështjen armene.
Izraeli është përballur vazhdimisht me akuza, përfshirë nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, se ofensiva e tij në Gaza përbën një gjenocid.
Shteti hebre, i themeluar pas Holokaustit, i ka hedhur poshtë këto akuza.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e kontrolluar nga Hamasi, mbi 73 mijë persona kanë humbur jetën, rreth gjysma e tyre gra dhe fëmijë.
Izraeli tha se nuk po shënjestron civilët dhe ka akuzuar Hamasin, se po përdor popullsinë civile si mburojë njerëzore.
Javën e kaluar, një grup ekspertësh të pavarur, të autorizuar nga OKB-ja, akuzoi Izraelin se ka qëlluar qëllimisht ndaj fëmijëve në Gaza dhe përsëriti akuzat për gjenocid.
Izraeli e hodhi poshtë raportin, duke e cilësuar atë një “shpifje dhe të pavërtetë”.


