TEKNOLOGJIA MBRON TË MOSHUARIT! Byzylykët inteligjentë ndihmojnë të moshuarit gjatë vapës ekstreme!

Një sistem i ri teknologjik në Romë po ndihmon të moshuarit që jetojnë vetëm të përballojnë valët e të nxehtit dhe rreziqet shëndetësore. Byzylykët inteligjentë monitorojnë parametrat jetësorë dhe mundësojnë ndërhyrje të shpejtë në raste emergjence. Projekti, i financuar nga fondet europiane pas pandemisë, synon të rrisë sigurinë dhe mirëqenien e të moshuarve.

TEKNOLOGJIA MBRON TË MOSHUARIT! Byzylykët inteligjentë

Temperaturat e larta që kanë përfshirë Evropën kanë shtyrë autoritetet në Romë të përdorin teknologji të reja për mbrojtjen e të moshuarve që jetojnë vetëm. Një prej tyre është Dina Gazzella, një 85-vjeçare që pas humbjes së bashkëshortit dhe kafshës së saj shtëpiake, jeton e vetme në banesë.

Përmes një byzylyku elektronik, ajo monitorohet në distancë nga një ekip socialëshëndetësor. Pajisja kontrollon rrahjet e zemrës, cilësinë e gjumit dhe lëvizjet e saj, ndërsa mund të dërgojë sinjal alarmi në rast rrëzimi apo problemi shëndetësor.

Programi është pjesë e një skeme mbështetëse prej rreth 400 milionë eurosh, e financuar nga fondet europiane pas COVID-19. Aktualisht ai mbulon rreth 700 persona në Romë dhe konsiderohet nga autoritetet një mjet i rëndësishëm parandalues, veçanërisht gjatë periudhave me temperatura ekstreme.

Moshuarit janë më të rrezikuar gjatë vapës, pasi temperaturat e larta mund të ndikojnë në presionin e gjakut dhe funksionimin e zemrës. Për këtë arsye, pajisjet inteligjente shërbejnë si një lidhje e vazhdueshme mes tyre dhe shërbimeve të ndihmës.

Byzylyku funksionon si një orë e zakonshme, por përmban sensorë që zbulojnë rënie aksidentale dhe dërgojnë njoftime te familjarët ose ekipet përgjegjëse. Në raste emergjente, ndërhyrja mund të bëhet brenda pak minutash.

Përveç monitorimit teknik, punonjësit socialë kontaktojnë çdo ditë të moshuarit për t’u kujtuar ilaçet, për të pyetur mbi gjendjen shëndetësore dhe për t’u ofruar mbështetje emocionale gjatë ditëve të nxehta.

Sipas autoriteteve romane, teknologjia nuk zëvendëson kujdesin njerëzor, por krijon një rrjet mbrojtës për një kategori gjithnjë e më të madhe qytetarësh që përballen me vetminë dhe temperaturat ekstreme.

EMISIONET