Siria raporton sulme izraelite në jug të vendit

Ushtria izraelite ka goditur objektiva në provincën jugore siriane të Daraa, raportoi sot agjencia shtetërore e lajmeve SANA.
Sipas raportimeve, forcat izraelite kishin hyrë dje në mbrëmje në qytetin Abdin me disa mjete ushtarake. Banorët lokalë, bllokuan rrugët dhe hodhën gurë në shenjë proteste.
Aktivistë të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, thanë se pas përplasjes, zona u godit me artileri dhe mitralozë, duke detyruar disa familje të largohen.
Ushtria izraelite njoftoi dje se kishte vrarë “disa terroristë të armatosur”, në jug të Sirisë një ditë më parë, duke shtuar se do të vijojë praninë ushtarake, për të eliminuar çdo kërcënim ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë. Ajo nuk komentoi fillimisht për ngjarjet në Abdin.
Një banor i zonës tha se ushtarët izraelitë, kishin vendosur një postbllok në hyrje të qytetit dhe kishin kontrolluar disa banorë. Sipas tij, pas kësaj, banorët bllokuan rrugën dhe hodhën gurë.
Trupat u tërhoqën në mbrëmje, por më pas zona u sulmua. Disa familje u larguan në panik, ndërsa situata më vonë u qetësua.

