Irani paralajmëron ndërkombëtarët pas përpl*sjeve të reja më SHBA-në: Asnjë shtet i huaj nuk ka kompetenca për Ngushticën e Hormuzit

Irani paralajmëron ndërkombëtarët pas përpl*sjeve

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, paralajmëroi sot, pas tre ditësh armiqësish të ripërtërira, se çdo ndërhyrje në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit nga Teherani, jashtë kornizës së memorandumit të mirëkuptimit me Uashingtonin, rrezikon “rritjen e tensioneve” në rajon.

Teherani dhe Uashingtoni akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit të përcaktuar në memorandumin e mirëkuptimit, të nënshkruar më 17 qershor, në lidhje me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.

Ngushtica, një rrugë e ngushtë ujore rreth 30 km e gjatë, që ndan Iranin dhe Omanin, u rihap më 17 qershor, por Teherani ka lejuar vetëm një kalim, përgjatë bregdetit të tij, dhe ka kërcënuar të godasë çdo anije që nuk i përmbahet.

Armiqësitë kanë rifilluar gradualisht që nga e enjtja, pasi Omani njoftoi hapjen e një rruge alternative të transportit detar, duke e paraqitur këtë masë si një iniciativë të ndërmarrë në bashkëpunim me OKB-në për të larguar marinarët dhe anijet e bllokuara.

Menjëherë më pas, një anije mallrash që lundronte nëpër Ngushticë jashtë kornizës së kësaj iniciative u godit nga një “rakete e panjohur”.

Sulmi iu atribuua Iranit nga SHBA-të, të cilat goditën territorin iranian, duke provokuar një përgjigje nga Teherani kundër pozicioneve amerikane në veçanti në Bahrein.

Një skenar i ngjashëm u përsërit dje, pasi një tanker nafte u godit nga një raketë me origjinë të panjohur. Infrastruktura ushtarake e Iranit u sulmua nga forcat ajrore amerikane dhe Teherani u kundërpërgjigj sot me raketa dhe dronë drejt Kuvajtit dhe Bahreinit.

Irani është i vendosur të “mbrojë sovranitetin e tij kombëtar”, siguroi Ministria e Jashtme e vendit, duke dënuar sulmet e SHBA-së “kundër objekteve të mbikëqyrjes dhe kontrollit në bregdetin jugor”.

Kuvajti dënoi “sulmet e urryera dhe të përsëritura” të Iranit që “minojnë” përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme dhe një “shkelje flagrante” të sovranitetit të tij.

Në Bahrein, ku sirenat e alarmit ranë dy herë gjatë natës, ushtria njoftoi se kishte “kapur dhe shkatërruar një numër raketash të përdorura në këto sulme të fshehta iraniane”.

“Asnjë organizatë ose vend tjetër përveç Iranit nuk është përgjegjës për menaxhimin e Ngushticës”, tha sot Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.

“Në përputhje me protokollin e mirëkuptimit çdo ndërhyrje në menaxhimin e Ngushticës do të çojë në vonesë në rihapjen e saj dhe do të rrisë tensionet, siç kemi parë këto dy netë”, paralajmëroi ai gjatë një vizite zyrtare në Bagdad.

Garda Revolucionare theks se “janë marrë masa” për të kontrolluar trafikun në Ngushticë. “Që tani e tutje, anijet që shkelin rregullat do të trajtohen me ashpërsi të shtuar”, paralajmëruan ata.

Abbas Araghchi gjithashtu mbështeti zbatimin e një kuadri sigurie që do të përfshinte “të gjitha vendet në rajon dhe pa praninë ose ndërhyrjen e ndonjë vendi të huaj”.

EMISIONET