Sydney Sweeney thyen heshtjen: Nuk ka asnjë konflikt në kastin e “Euphoria!"

Aktorja e njohur Sydney Sweeney ka hedhur poshtë thashethemet për konflikte dhe tensione mes kastit të serialit Euphoria, duke akuzuar mediat dhe rrjetet sociale për krijimin e narrativave të pavërteta.
Në një intervistë për Vanity Fair, Sweeney u shpreh se marrëdhëniet mes aktorëve kanë qenë gjithmonë të mira dhe se grupi është rritur së bashku gjatë viteve të xhirimeve.
“Ne të gjithë jemi rritur bashkë në këtë shfaqje”, tha aktorja, duke komentuar spekulimet e vazhdueshme për përçarje në prapaskenë.
Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si mediat dhe rrjetet sociale trajtojnë jetën e personazheve të njohur, duke theksuar se shumë histori nuk përputhen me realitetin.
Sweeney sqaroi edhe zërat që lidhnin vonesat e sezonit të tretë të serialit me axhendat e ngarkuara të aktorëve. Sipas saj, të gjithë anëtarët e kastit ishin të lidhur me kontrata prioritare me HBO dhe ishin të gatshëm të riktheheshin sapo të caktohej data e xhirimeve.
Deklarata e saj vjen pas spekulimeve të shumta për një raport të ftohtë mes saj dhe Zendaya, pretendime që janë mohuar vazhdimisht nga të dyja palët dhe burime pranë produksionit. Sipas tyre, angazhimet profesionale dhe projektet individuale kanë qenë arsyeja e vetme e mungesës së daljeve publike së bashku.


