“Streha sekrete” e James Bond rezulton të jetë një parajsë për astronomët në shkretëtirën e Kilit!

“Streha sekrete” e James Bond rezulton të jetë një

Një ndërtesë futuristike e fshehur në zemër të shkretëtirës Atakama në Kili, e njohur si “Residencia”, ka tërhequr sërish vëmendjen pasi u bë e famshme si vendxhirimi i filmit të James Bond, Quantum of Solace. Megjithatë, në jetën reale ajo nuk është strehë e një zuzari të filmave aksion, por shtëpia e astronomëve dhe inxhinierëve që punojnë në disa prej observatorëve më të avancuar në botë.

Nga jashtë, ndërtesa është pothuajse e padukshme, e projektuar për t’u shkrirë me peizazhin e thatë të Atakamës. Por brenda saj fshihet një oaz i vërtetë me bimësi tropikale, pishinë dhe ambiente relaksuese për studiuesit që kalojnë muaj të tërë në një nga zonat më ekstreme të planetit.

Residencia shërben si vendqëndrim për ekipet shkencore që punojnë pranë teleskopit gjigant Very Large Telescope (VLT) dhe projektit Extremely Large Telescope (ELT), të administruara nga Observatori Evropian Jugor.

Një nga veçoritë më të rëndësishme të kompleksit është mbrojtja nga ndotja e dritës. Dhomat kanë dritare minimale dhe gjatë natës përdoren sisteme speciale për të bllokuar çdo burim ndriçimi që mund të ndikojë në vëzhgimet astronomike.

E vendosur më shumë se 2 mijë metra mbi nivelin e detit, Residencia ofron kushte komode për shkencëtarët, por edhe rregulla të rrepta për shkak të klimës së ashpër dhe lartësisë së madhe. Alkooli është i ndaluar, ndërsa aktivitetet fizike në natyrë rekomandohen me kujdes për shkak të dehidratimit dhe rrezatimit të lartë ultraviolet.

Kur bie nata, banorët e saj shijojnë një nga qiellët më të pastër në botë, ku mund të shihen galaktika, yje dhe satelitë me sy të lirë. Pikërisht këto kushte e kanë bërë Atakamën një nga vendet më të rëndësishme në planet për kërkimet astronomike./BBC

EMISIONET