SHBA i heq "Non Gratën" Berishës/ Baçi: Pas 5 viteve beteje, sot është një ditë fitoreje për ne dhe për mbijetesën e PD-së!

Një komplot i mirëkoordinuar ndërkombëtar dhe i brendshëm synoi asgjësimin total të Partisë Demokratike dhe liderit të saj historik. Goditja masive nuk ishte thjesht një sulm individual ndaj një personaliteti, por një plan i mirëmenduar për të gjunjëzuar të gjithë demokratët, i cili tashmë po zbardhet plotësisht. Në këtë skenar të paimagjinueshëm, pretendohet se janë përfshirë aktorë të niveleve më të larta botërore dhe vendase.
Në një intërvistë për “Ora News” deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi ka bërë deklarata të forta mbi një sulm të organizuar me qëllim dobësimin e opozitës në Shqipëri.
Ai ka akuzuar drejtpërdrejt ish-ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Sekretari i Shtetit Antony Blinken, si dhe kryeministri Edi Rama.
Për të realizuar këtë goditje, ky grupim thuhet se ka bashkëpunuar ngushtë edhe me ish-kryetarin e Partisë Demokratike të asaj kohe, i cili veproi në unison me qeverinë për të dëmtuar nga brenda forcën më të madhe opozitare në vend. Beteja e opozitës për mbijetesë përshkruhet si një luftë kolosale pesëvjeçare e nisur që nga maji i vitit 2021. Përgjatë kësaj kohe, demokratët u përballën me dëme të llogaritura mirë, dosje të stisura, intriga dhe kurthe të panumërta.
Pjesë e këtij dëmi fatal sipas deputetit ishte edhe lënia e partisë pa vulë dhe pa sigël për vite me radhë, ndërkohë që qeveria përdori figura të caktuara brenda opozitës si "bedelë" për të mbajtur peng institucionin zyrtar. Pasojat e këtij komploti u ndjenë thellësisht në garat elektorale, ku opozita hyri e përçarë dhe pa simbolet e saj, theksoi Baçi.
Përtej manipulimeve, presioneve dhe shantazheve nga ana e pushtetit, dëmi i shkaktuar e bëri garën një mision sfidues, duke shënjuar një nga periudhat më të vështira të politikës shqiptare.
Megjithatë, dalja e partisë nga ky sulm frontal dhe e mbijetesa e saj konsiderohet tashmë si një ditë e bukur dhe një fitore e madhe për të gjithë qëndrestarët, theksoi ndër të tjera deputetit i partisë demokratike.
Luan Baçi: E them këtë për arsye se goditja që iu bë Sali Berishës ishte një goditje që iu bë Partisë Demokratike, jo thjesht një individi, liderit historik të saj.
Ishte vërtet një ditë e bukur sot për demokratët, për të gjithë qëndrestarët, për të gjithë ata që besuan në të drejtën, besuan te ndershmëria, dhe e mbështetën liderin historik të Partisë Demokratike në ditët më të vështira të Partisë Demokratike, në një sulm të paimagjinueshëm që bëhej nga ndërkombëtarët, dhe këtu duhet të jemi të hapur fare, nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Blinken, dhe nga mazhoranca dhe kryeministri Rama, qeveria e korruptuar e Ramës.
Pra, ishte një plan i mirëkoordinuar për të goditur Partinë Demokratike, këtu më duhet të them që i koordinuar edhe me kryetarin e asaj kohe të Partisë Demokratike, që drejtonte Partinë Demokratike duke qenë në unison me njëri-tjetrin për ta goditur Partinë Demokratike dhe për të bërë atë që bënë.
Dhe është bërë një luftë kolosale, do ta quaja, që nga maji i 2021-shit, dhe sot jemi në qershor të 2026-ës, kanë kaluar 5 vjet luftë dhe betejë që Partia Demokratike ka bërë për të mbijetuar, dhe vërtet ka mbijetuar.Patjetër, dëmi ka qenë shumë i madh, një dëm që i ka kushtuar shumë Partisë Demokratike, dhe ata që e kanë shkaktuar në mënyrë të padrejtë, në fakt duhet të mbajnë përgjegjësi.
Kanë qenë veprime të paimagjinueshme, të stisura, dosje të tëra, intriga, kurthe, nga s'ka ku të vësh më, për të shkatërruar Partinë Demokratike. Dhe në njëfarë mase ia arritën për ta dëmtuar Partinë Demokratike duke e lënë prej muajsh dhe vitesh të tëra pa sigël, pa vulë, Partinë Demokratike faktike, atë që ne e quanim shpeshherë, dhe jo atë partinë zyrtare që i vunë emrin vetë ata që mbajtën vulën dhe uzurpuan vulën, Rama që mbajti vulën me ata bedelë që kishte vënë në krye të Partisë Demokratike.
Parë në këtë këndvështrim dëmi është shkaktuar absolutisht, dhe mos harrojmë që në 2023-shin kemi bërë zgjedhje pa vulë, pa sigël, pa firmë, zgjedhjet e 11 majit 2025-ës.
Përveçse vjedhjes, grabitjes, intrigave, shantazhit, presionit të Edi Ramës, mos harrojmë se ishte dhe një Parti Demokratike e goditur dhe e dëmtuar e ardhur nga 2021-shi, dhe duke qenë e përçarë në pjesën më të madhe të kohës.

