Gara për Bond-in e ri, Clooney mbështet Callum Turner për rolin legjendar!

Prej largimit të Daniel Craig nga roli i James Bond në filmin No Time to Die në vitin 2021, fansat e sagës së famshme kanë pritur me interes të madh zbulimin e aktorit që do të marrë përsipër misionin e ri si agjenti 007.
Mes emrave të shumtë që qarkullojnë në media, aktori i njohur George Clooney ka dalë hapur në mbështetje të Callum Turner, duke e cilësuar atë si kandidatin ideal për rolin legjendar.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter, Clooney u shpreh se aktori britanik ka të gjitha cilësitë e nevojshme për të interpretuar James Bond.
“Shpresoj që Callum të bëhet Bond-i i ardhshëm. Mendoj se ai do të ishte një Bond i shkëlqyer. Ai është i gjatë, i pashëm, simpatik dhe britanik, pra është personi i duhur për këtë rol”, tha Clooney.
Fituesi i Oscar-it vlerësoi gjithashtu zgjedhjet profesionale të Turner gjatë karrierës së tij, duke theksuar se ai ka ndërtuar emrin e tij në Hollywood përmes projekteve cilësore dhe jo vetëm për sukses të shpejtë.
Ndërkohë, gara për rolin e ri të James Bond mbetet e hapur, me emra si Aaron Taylor-Johnson, Harris Dickinson dhe Jacob Elordi që vazhdojnë të konsiderohen ndër favoritët. Megjithatë, mbështetja publike e George Clooney-t ka rikthyer Callum Turner në qendër të vëmendjes si një nga kandidatët më seriozë për të trashëguar rolin e agjentit më të famshëm në historinë e kinemasë.

