Fund pritjes së gjatë? Testi i ri i gjakut mund të zbulojë endometriozën me mbi 95% saktësi

Fund pritjes së gjatë? Testi i ri i gjakut mund të zbulojë

Pas vitesh kërkimesh, shkencëtarët besojnë se janë një hap më pranë një metode të thjeshtë dhe efektive për diagnostikimin e endometriozës, një sëmundje kronike që prek rreth 190 milionë gra në botë.

Sipas një studimi të ri, një test gjaku ka arritur të identifikojë një "gjurmë hormonale" karakteristike të endometriozës, duke dalluar pacientet e prekura me një saktësi që kalon 95%.

Aktualisht, diagnoza e kësaj sëmundjeje shpesh kërkon vite pritjeje dhe bazohet në ekzaminime si ekografia, rezonanca magnetike ose laparoskopia, një procedurë kirurgjikale minimale.

Ekspertët thonë se testi i ri mund të ndryshojë këtë realitet, duke mundësuar zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe nisjen më të shpejtë të trajtimit.

Studimi analizoi mostrat e gjakut të 159 grave me endometriozë dhe 57 grave pa këtë sëmundje, duke zbuluar se pacientet e prekura kishin nivele të ndryshme të disa hormoneve, veçanërisht të 11-ketotestosterone, një hormon që rezultoi të ishte tregues i rëndësishëm biologjik.

Sipas bashkautorit të studimit, Douglas Gibson nga Universiteti i Edinburgh-ut, ky është një hap i rëndësishëm drejt kuptimit më të mirë të endometriozës dhe zhvillimit të metodave më moderne të diagnostikimit.

Ndërkohë, Emma Cox, drejtuese e organizatës Endometriosis UK, theksoi se shumë gra presin me vite për të marrë një diagnozë të saktë, çka shpesh vonon trajtimin dhe përkeqëson gjendjen.

Edhe pse testi nuk është ende pjesë e praktikës së zakonshme mjekësore, rezultatet kanë ngritur shpresa se në të ardhmen endometrioza mund të diagnostikohet me një analizë të thjeshtë gjaku, pa pasur nevojë për procedura invazive apo vite pritjeje.

EMISIONET