Artistët kundër Scorsese-s: Inteligjenca Artificiale po kërcënon industrinë e filmit!

Regjisori legjendar Martin Scorsese është përfshirë në një debat të fortë në industrinë e filmit, pasi bashkëpunimi i tij me kompaninë e inteligjencës artificiale Black Forest Labs ka shkaktuar reagime të ashpra nga komuniteti artistik.
Shoqata e Drejtorëve të Artit ka kritikuar publikisht Scorsese-n, duke argumentuar se promovimi i mjeteve të inteligjencës artificiale mund të minimizojë rolin e artistëve dhe profesionistëve krijues që kanë qenë pjesë e suksesit të filmave të tij ndër vite.
Debati u intensifikua pas prezantimit të mjetit të inteligjencës artificiale FLUX, ku Scorsese sugjeroi se teknologjia mund t’i ndihmojë regjisorët të shprehin më lehtë vizionin e tyre krijues.
Sipas përfaqësuesve të artistëve, këto procese janë realizuar tradicionalisht nga drejtorë arti, ilustrues, dizajnerë grafikë dhe skenografë.
“Nuk mund të injorohen dekadat e punës së artistëve që kanë ndihmuar regjisorët të sjellin në jetë vizionet e tyre kreative”, thuhej në deklaratën e shoqatës.
Polemikat u shtuan pasi Black Forest Labs njoftoi më 2 qershor se Scorsese do t’i bashkohej kompanisë në rolin e këshilltarit, me synimin për të eksploruar përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin krijues.
Nga ana e tij, regjisori mbrojti vendimin duke theksuar se kinemaja ka evoluar gjithmonë falë teknologjive të reja. Ai kujtoi përdorimin e teknologjisë 3D në Hugo dhe efekteve dixhitale në The Irishman, duke argumentuar se mjetet e reja e ndihmojnë të komunikojë më qartë idetë me ekipin krijues.
Ndërkohë, kritika kanë ardhur edhe nga regjisori Boots Riley, i cili sugjeroi se vendimi i Scorsese mund të jetë ndikuar edhe nga përfitimet financiare të marrëveshjes.
Debati mbi inteligjencën artificiale vazhdon të ndajë opinionet në Hollywood. Një pjesë e industrisë e sheh teknologjinë si një mjet të dobishëm për kreativitetin, ndërsa të tjerë druhen se ajo mund të zëvendësojë profesionet krijuese dhe të reduktojë rolin e artistëve në procesin e prodhimit të filmave.

