Alimehmeti: Protesta e rinisë është frymëzuese, dolën për të ardhmen që po "u vritet" nga qeveria

Ndryshimet e fundit në skenën politike shqiptare dhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike pritet të hapin një kurs krejtësisht të ri për aksionin opozitar. Heqja e masave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe protestat e fundit masive nuk shihen thjesht si rastësi, por si pjesë e një modeli më të gjerë që paralajmëron lëvizje të forta në kampin blu.
I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte Drejtues i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti,i cili u shpreh se këto ngjarje përkojnë saktësisht me fazën e ristrukturimit të Partisë Demokratike, e cila ka zgjedhur Këshillin Kombëtar, por është ende në proces të ngritjes së kryesisë dhe pozicioneve drejtuese. Kjo situatë pritet të nxisë një reflektim të thellë brenda strukturave partiake, të cilat tashmë kanë një hapësirë më të madhe veprimi. Opozita po kalon nga një pozicion mbrojtës në një fazë ofensive, me qëllim largimin e qeverisë "Rama" një orë e më parë. Për të arritur këtë objektiv, theksohet nevoja jetike për një qasje më përfaqësuese, të drejtë, të hapur dhe të pastër në komunikimin direkt me qytetarët.
" Patjetër që hapet një lloj kursi i ri dhe unë jam epidemiolog dhe në epidemiologji neve studiojmë emëruesit e përbashkët dhe nuk besojmë tek rastësitë.
Nuk ekzistojnë rastësitë, ekzistojnë modele që ende s'kemi kuptuar dhe që kërkojmë t'i zbulojmë. Koincidenca e ndodhisë, qoftë protestës së madhe, qoftë revokimit të masës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe fakti që Partia Demokratike, ju e shihni se ku ndodhet, ndodhet saktësisht tek pozicioni që ka zgjedhur Këshillin Kombëtar, por s'ka zgjedhur kryesinë dhe pozicionet drejtuese të saj. Kështu që në rradhë të parë mendoj që direkt do të ndikojë në këtë lloj drejtimi.
Që do të thotë, do kërkohet një reflektim më i madh i strukturave që kanë për detyrë të propozojnë kandidaturat për pozicionet drejtuese të Partisë Demokratike, të cilat tashti kanë një hapësirë më të madhe veprimi, kanë një hapësirë... nuk janë më në mbrojtje, por janë struktura që tashti duhet të kalojnë në atë fazën e revokimit edhe të largimit të qeverisë Rama një orë e më parë. E si e bëjnë këtë? Duke qenë më përfaqësuese, duke qenë më të drejta, duke qenë më të hapura, më të pastra me njerëzit, se në fund të fundit të ditës, njerëzve do t'u drejtohesh.
Unë mendoj që ka një koncept shumë të thjeshtë kjo pjesë. Ky është thjeshtimi që dëshiron të bëjë Edi Rama në këtë drejtim. Me emra të përveçëm... Jo mo, nuk është kështu. Në rradhë të parë, demokracia nuk flet kurrë për emra të përveçëm. Ligji, kushtetuta nuk flet kurrë, parimet ndërkombëtare. Flasim për një fushë të pastër loje. Flasim për një garë të ndershme. Nesër pasnesër, ndoshta dhe këta të rinj që janë aty në bulevard ndoshta do të duan të paraqesin dhe ata një alternativë politike. Nëse ka një garë të ndershme dhe të ligjshme dhe të pastër, me arbitër që garantojnë rregullat, bujrum fitoftë më i miri", u shpreh Alimehmeti.
Ndiqni intervistën e plotë:

