Alarm Klimatik / Nis zyrtarisht "Super El Niño": Shkencëtarët paralajmërojnë temperatura rekord dhe trazira në ekonominë botërore

Fenomeni natyror klimatik në Oqeanin Paqësor, El Niño, i cili rrit temperaturat globale, ka nisur zyrtarisht. Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA) konfirmoi se kushtet janë tashmë të pranishme në Paqësorin tropikal, pasi temperaturat e sipërfaqes së detit kanë kaluar pragun kritik prej 0.5°C mbi mesataren.
Ajo që po alarmon meteorologët është siguria e lartë e modeleve kompjuterike se ky mund të shndërrohet në një “super El Niño”, duke u renditur ndër më të fortët e regjistruar që nga viti 1950. Modelet amerikane dhe evropiane (ECMWF) tregojnë se temperaturat mund të rriten deri në 3°C mbi mesataren drejt fundit të vitit.
Ky fenomen po zhvillohet mbi një planet që është tashmë i mbinxehur nga aktiviteti njerëzor. Ekspertët parashikojnë se pasojat më të rënda do të ndihen në ekonominë globale, furnizimin me ushqime dhe motin ekstrem, me një kulm të nxehtësisë që pritet të godasë botën në vitin 2027.
Ndonëse agjencitë e SHBA-së dhe Japonisë (JMA) e kanë shpallur zyrtarisht fillimin e tij, Byroja Australiane e Meteorologjisë (BoM) mbetet më e kujdesshme për shkak të kritereve më të rrepta, por konfirmon se Paqësori po shkon me hapa të shpejtë drejt këtij skenari ekstrem.

