Anthropic mposht OpenAI në Wall Street/ Gara për bursën dhe beteja e egove mes Amodei-t dhe Altman-it

Anthropic mposht OpenAI në Wall Street/ Gara për bursën dhe

Tregu i inteligjencës artificiale po përjeton një skenar të denjë për Hollywood. Dy gjigantët botërorë, Anthropic (krijuesit e Claude) dhe OpenAI (krijuesit e ChatGPT), kanë nisur zyrtarisht betejën e tyre në Wall Street për të hyrë në ligën ekskluzive të kompanive që vlejnë mbi 1 bilion dollarë.

Zhvilluesit e Claude kanë korrur fitoren e parë taktike, duke depozituar dokumentet në SEC (rregullatori i tregjeve financiare) për një ofertë fillestare burse (IPO) vetëm pak ditë përpara rivalëve të tyre të OpenAI. Aktualisht, Anthropic vlerësohet në 965 miliardë dollarë, ndërsa OpenAI qëndron pak më pas me 852 miliardë dollarë.

Edhe pse OpenAI dominon tregun e konsumatorëve të thjeshtë me mbi 900 milionë përdorues javorë në ChatGPT, ekspertët financiarë shohin Anthropic si favoritin e madh në bursë. Shkak bëhet monetizimi: shumica e përdoruesve të OpenAI e përdorin platformën falas.

Në krahun tjetër, Anthropic ka fokusuar strategjinë te bizneset e mëdha. Mbi 1,000 kompani shpenzojnë aktualisht nga 1 milion dollarë në vit për shërbimet e saj, duke bërë që të ardhurat e parashikuara të Anthropic për këtë vit të prekin vlerën prej 47 miliardë dollarësh, krahasuar me 30 miliardë dollarë të OpenAI.

Gara nuk është vetëm financiare, por edhe personale. Shefi i Anthropic, Dario Amodei, u largua nga OpenAI në vitin 2021 pikërisht nga mospajtimet me CEO-n Sam Altman, duke e akuzuar atë për fokus të tepërt te paratë dhe mungesë përgjegjësie. Që atëherë, Amodei ka refuzuar bashkëpunimin me ushtrinë amerikane për sisteme armësh, gjë që bëri që Pentagoni ta klasifikonte firmën e tij si "rrezik për sigurinë".

Këtë hapësirë po nxiton ta shfrytëzojë Sam Altman, softueri i të cilit pritet të përdoret së shpejti nga Pentagoni. Kjo lëvizje e ka vendosur OpenAI-n në pozicionin e "keqbërësit" në sy të opinionit publik, duke braktisur misionin fillestar jofitimprurës të vitit 2015. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se presioni i madh i bursës mund t'i detyrojë shumë shpejt edhe "djemtë e mirë" të Anthropic që të marrin vendime të vështira që mund të përçajnë kompaninë.

EMISIONET