30°C në Oslo! Autoritetet hedhin 9 mijë litra ujë mbi pistën e aeroportit për të mbrojtur asfaltin

30°C në Oslo! Autoritetet hedhin 9 mijë litra ujë mbi

Valët e të nxehtit që po godasin Evropën po vënë në provë infrastrukturën e transportit, duke detyruar autoritetet të marrin masa të jashtëzakonshme për të shmangur dëmtimet në aeroporte, hekurudha dhe rrugë. Temperaturat gjithnjë e më të larta po nxjerrin në pah se një pjesë e madhe e infrastrukturës evropiane nuk është ndërtuar për t'u përballur me kushte të tilla ekstreme.

Një nga rastet më të veçanta u regjistrua në aeroportin e Oslos, ku punonjësit derdhën rreth 9 mijë litra ujë mbi pistën për ta ftohur dhe për të shmangur dëmtimin e asfaltit nga pesha e avionëve.

Në kryeqytetin norvegjez temperaturat arritën në 30 gradë Celsius, rreth 10 gradë mbi mesataren sezonale.

Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po krijojnë një realitet të ri për transportin në Evropë. Sipas tyre, rrugët, hekurudhat dhe aeroportet nuk janë projektuar për valë të gjata të të nxehtit, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Edhe rrjeti hekurudhor po përballet me vështirësi. Temperaturat e larta mund të deformojnë shinat, të dëmtojnë sistemet e sinjalizimit dhe të shkaktojnë ndërprerje të energjisë. Një raport i Bashkimit Evropian tregon se më shumë se 70% e operatorëve hekurudhorë kanë regjistruar ndërprerje të lidhura me motin ekstrem.

Në Britani janë planifikuar investime prej 3.5 miliardë dollarësh për ta bërë rrjetin hekurudhor më të qëndrueshëm ndaj ndryshimeve klimatike.

Ndërkohë, në Stokholm janë lyer me ngjyrë të bardhë disa segmente të shinave të metrosë për të reflektuar rrezet e diellit dhe për të ulur temperaturën e tyre.

Ndryshimet kanë prekur edhe transportin hekurudhor ndërkombëtar. Eurostar ka ndryshuar kriteret për flotën e re të trenave, duke kërkuar që mjetet të funksionojnë në temperatura deri në 55 gradë Celsius. Investimi prej 1.7 miliardë paundësh parashikon blerjen e 50 trenave të rinj që do të jenë në përdorim deri në vitet 2060.

Edhe infrastruktura rrugore po përballet me sfida të reja. Inxhinierët shpjegojnë se shumë autostrada në Evropën Veriore janë projektuar kryesisht për ngricat dhe jo për temperatura ekstreme, ndërsa autoritetet norvegjeze kanë njoftuar se projektet e ardhshme do të ndërtohen sipas standardeve të reja, për t'u përballur njëkohësisht me dimrat e ashpër dhe verat gjithnjë e më të nxehta.

EMISIONET