Australia vendos "fre" për Inteligjencën Artificiale/ Ligje të reja për energjinë, ujin dhe të drejtat e autorit

Australia vendos "fre" për Inteligjencën Artificiale/ Ligje

Australia po përgatit një paketë të re ligjore për të rregulluar përdorimin e inteligjencës artificiale, me fokus te qendrat e të dhënave, mbrojtja e pronës intelektuale dhe siguria kombëtare. Qeveria synon të vendosë rregulla të qarta për përdorimin e ujit dhe energjisë nga infrastruktura e IA-së, si edhe për mënyrën se si kompanitë përdorin përmbajtjet krijuese për trajnimin e modeleve të tyre.

Gjatë një fjalimi në Universitetin e Sidneit, kryeministri australian Anthony Albanese prezantoi drejtimet kryesore të politikës së re, duke argumentuar se zhvillimi i inteligjencës artificiale duhet t'i shërbejë interesit kombëtar dhe të mos zhvillohet pa rregulla.

Muajin e ardhshëm, Albanese do të zhvillojë një takim me drejtuesit e shteteve dhe territoreve australiane për të diskutuar projektligjet, të cilat pritet të paraqiten vitin e ardhshëm. Synimi është rritja e besimit te inteligjenca artificiale, forcimi i sigurisë kombëtare dhe vendosja e standardeve për funksionimin e qendrave të të dhënave.

Kryeministri vlerësoi se Australia ka qenë ndër vendet e para që vendosi kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, por sfida e inteligjencës artificiale është edhe më e madhe dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Ai vlerësoi se vendi nuk duhet të mbetet vetëm një qendër të dhënash për produktet e inteligjencës artificiale të zhvilluara jashtë Australisë, por të ndërtojë një model që mbron interesat kombëtare dhe sektorët strategjikë.

Debati është intensifikuar edhe pas raportimeve se kompania amerikane Anthropic ka kërkuar ndryshime në ligjin australian të të drejtave të autorit, për ta bërë më të lehtë përdorimin e materialeve të mbrojtura gjatë trajnimit të modeleve të inteligjencës artificiale.

Në të njëjtën kohë, artistë, autorë dhe përfaqësues të industrive krijuese kanë kërkuar që qeveria të mos lejojë përdorimin falas të librave, muzikës, veprave artistike dhe përmbajtjeve mediatike për zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke argumentuar se përmbajtja krijuese duhet të përdoret vetëm me miratimin e autorëve.

EMISIONET