Tabaku: Komisioni të respektojë kalendarin, reforma nuk mund të mbyllet pa dëgjuar Bashkinë e Tiranës

Tabaku: Komisioni të respektojë kalendarin, reforma nuk mund të

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi që Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale të respektojë projektkalendarin e miratuar dhe të zhvillojë dëgjesën e parashikuar me Bashkinë e Tiranës, përpara se ekspertët dhe komisioni të paraqesin përfundimet e tyre.

Gjatë mbledhjes së komisionit, Tabaku theksoi se diskutimi nuk lidhet thjesht me zgjatjen formale të mandatit, por me domosdoshmërinë që puna e komisionit të ndjekë etapat e përcaktuara dhe të prodhojë një analizë të mbështetur në fakte.

Sipas saj, nuk mund të hartohet një raport serioz mbi funksionimin e reformës së vitit 2014, ndërkohë që Bashkia e Tiranës, njësia vendore më e madhe në vend, nuk ka raportuar ende përpara komisionit.

“Nuk mund të flasim për përfundime kur bashkia më e madhe në vend nuk ka dhënë llogari. Ekspertët nuk mund të paraqesin gjetje pa dëgjuar më parë institucionin që administron rreth 1.3 milionë qytetarë dhe buxhetin më të madh vendor”, u shpreh Tabaku.

Ajo argumentoi se dëgjesa me Bashkinë e Tiranës është e nevojshme për të kuptuar nëse zgjerimi territorial ka sjellë shërbime më të mira, nëse qytetarët kanë përfituar dhe nëse burimet financiare janë përdorur në përputhje me nevojat e komuniteteve.

Tabaku përmendi mungesën e shkollave në zona si Astiri, Zall-Bastari dhe Zall-Herri, si dhe problematikat me trafikun, infrastrukturën, strehimin social dhe përdorimin e të ardhurave nga taksat vendore.

“Ne duhet të dimë nëse taksa e arsimit i ka shërbyer komunitetit, si është menaxhuar zgjerimi i bashkisë dhe çfarë ka ndryshuar realisht në jetën e qytetarëve. Pa këto përgjigje, nuk kemi një analizë të plotë”, deklaroi ajo.

Sipas Tabakut, ndërtimi i Unazës së Re nuk e ka zgjidhur problemin e trafikut, ndërsa dhënia e një numri të madh lejesh ndërtimi duhet të shoqërohet me transparencë mbi të ardhurat e krijuara, investimet në infrastrukturë dhe politikat e strehimit social.

Ajo paralajmëroi se anashkalimi i dëgjesave dhe përshpejtimi i etapave të punës rrezikon ta kthejë reformën nga një proces në shërbim të qytetarëve në një ushtrim politik dhe elektoral.

“Nëse doni një hartë politike, mund ta bëni, por mos e paraqisni si nevojë të shqiptarëve. Reforma duhet të përmirësojë shërbimet dhe të afrojë pushtetin vendor me qytetarin, jo t’u shërbejë llogarive partiake”, tha Tabaku.

Deputetja e PD kërkoi që komisioni të përfundojë fillimisht dëgjesat, të analizojë mangësitë e reformës ekzistuese dhe vetëm më pas të kalojë në hartimin e një modeli të ri administrativo-territorial.

Ajo ngriti gjithashtu nevojën që diskutimi për ndarjen territoriale të lidhet me ndarjen rajonale të vendit dhe me procesin e integrimit europian.

“Duhet të respektojmë projektkalendarin, të zhvillojmë dëgjesën me Bashkinë e Tiranës dhe të kuptojmë ku ka gabuar reforma e mëparshme. Vetëm atëherë mund të ndërtojmë një reformë më të mirë, që u shërben qytetarëve dhe jo zyrave të partive”, përfundoi Tabaku.

Fjala e deputetes Tabaku ne Komision

Faleminderit, zoti Mazniku.

Vijmë në këtë mbledhje pas një debati të gjatë në lidhje me kalendarin e punës. Ju vetë e dini sa herë kemi diskutuar së bashku për të sjellë për raportim përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës.

Ekspertët tuaj duan të paraqesin gjetje, ndërkohë që bashkia më e madhe në vend nuk ka dhënë ende llogari. Doni të paraqisni një raport, por ne nuk dimë nëse pushteti vendor është dakord me këto përfundime, si e vlerëson reformën dhe cilat janë shqetësimet reale të qytetarëve.

Mendoj se duhet të zhvillojmë një analizë të plotë, e cila të vijë si rezultat i punës së këtij komisioni. Ne nuk dimë, për shembull, nëse taksa e arsimit në Tiranë i ka shërbyer komunitetit apo jo.

Sot kemi Astirin pa shkollë, Zall-Bastarin dhe Zall-Herrin pa shkolla të mjaftueshme. Pra, nuk dimë ku jemi dhe nuk dimë si ka funksionuar zgjerimi i Bashkisë së Tiranës, pa diskutuar më parë çështjet që lidhen drejtpërdrejt me problemet e qytetarëve, duke nisur nga infrastruktura dhe kushtet e jetesës.

Nëse duam të bëjmë diçka që u shërben qytetarëve, duhet të respektojmë një rregull pune dhe një logjikë të thjeshtë. Por, me sa duket, ju kërkoni të prodhoni një hartë politike. Këtë mund ta bëni, por mos e paraqisni si një nevojë të shqiptarëve.

Ne kemi tre elemente që, në mënyrë logjike, lidhen me njëri-tjetrin.

Nuk mund të flasim për një raport kur Bashkia e Tiranës nuk ka raportuar. Është ndërtuar Unaza e Re e Tiranës, por sot trafiku është kthyer në gangrenë.

Janë dhënë rreth një milion metra katrorë leje ndërtimi dhe ne nuk dimë çfarë ka ndodhur me banesat sociale apo me të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Sot, drejtuesja e komanduar e Bashkisë së Tiranës shmang raportimin, ndërsa ish-kryetari ndodhet pas hekurave. Megjithatë, ju vini këtu dhe mendoni se kjo fazë është ezauruar, ndërkohë që nuk kemi një raport dhe nuk dimë çfarë po ndodh me bashkinë më të madhe në vend.

Përsëris edhe një herë kërkesën që ta marrim punën seriozisht. Të mos e bëjmë këtë për llogari elektorale apo thjesht për të kaluar radhën.

Çfarë kërkoni? Të sillni një ligj me porosi, përmes një harte që nuk u duhet shqiptarëve, që nuk përmirëson shërbimet dhe që nuk krijon lehtësi për qytetarët nga veriu në jug?

Do të ishte për të ardhur keq nëse ky komision do të dilte me një produkt të njëanshëm. Nuk ka kuptim të harxhojmë kaq shumë energji, kohë dhe para për të prodhuar një llogari politike apo, edhe më keq, një llogari partiake.

Prandaj besoj dhe shpresoj se duhet ta shtyjmë mandatin e komisionit dhe të kemi raportim nga një zyrtar që administron sot rreth 1.3 milionë shqiptarë dhe një buxhet shumë të madh.

Në fund, duhet të kuptojmë se ku kemi gabuar me reformën e mëparshme dhe si mund ta përmirësojmë atë, në mënyrë që t’u shërbejë realisht qytetarëve.

Së fundmi, e ndoqa me interes diskutimin për reformën zgjedhore. Në këtë komision kemi diskutuar edhe për ndarjen rajonale të vendit, e cila do të ketë një proces dhe ndikim të madh.

A kemi një përgjigje në lidhje me rajonet? Sepse është detyrë e këtij komisioni që ta lidhë këtë reformë edhe politikisht me procesin e integrimit europian.

Duhet të jemi seriozë dhe të ngrihemi mbi llogaritë politike dhe elektorale. Duhet të sillemi si një komision parlamentar dhe jo si një zyrë partie.

Duhet të sillemi si deputetë të Parlamentit të Shqipërisë dhe jo si përfaqësues të llogarive partiake.

EMISIONET