Zbulim i rrallë në Shkodër, del në dritë tempulli antik i shekujve IV-III para Krishtit!

Zbulim i rrallë në Shkodër, del në dritë tempulli antik

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë në afërsi të Bushatit në Shkodër, ku gërmimet e përbashkëta të arkeologëve shqiptarë dhe polakë kanë nxjerrë në dritë një tempull që daton në shekujt IV-III para Krishtit. Gjetja konsiderohet një tjetër dëshmi e rëndësishme e qytetërimit ilir që ka lulëzuar në këtë zonë më shumë se 2300 vjet më parë.

Prej disa vitesh, ekspedita arkeologjike e drejtuar nga arkeologu Saimir Shpuza po zhvillon kërkime në një vendbanim antik, të cilit studiuesit i referohen si Basania, ndonëse deri më tani nuk janë gjetur mbishkrime që të vërtetojnë përfundimisht emrin e lashtë të qytetit.

Sipas Shpuzës, zbulimi më i fundit ka të bëjë me një strukturë monumentale në majën e kodrës, e cila identifikohet si tempull dhe daton në shekujt IV-III para erës sonë. Në të njëjtën zonë është zbuluar edhe një fragment fortifikimi i një periudhe më të vonshme, që mendohet t’i përkasë shekujve II-I para Krishtit.

Qyteti antik, i fshehur mes kodrave pranë Bushatit, po zbulon vit pas viti pjesë të rëndësishme të historisë ilire. Deri tani, arkeologët kanë evidentuar një portë monumentale, ambiente pritjeje ku besohet se organizoheshin ceremoni dhe festa, si dhe struktura të tjera që dëshmojnë për zhvillimin urban të vendbanimit.

Gjurmët e qytetit nisin pranë aksit rrugor kombëtar, ku ndodhet porta jugore, ndërsa kërkimet po ndihmojnë në rindërtimin e pamjes së një qendre të rëndësishme ilire që shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 20 hektarësh.

Zona ku po zhvillohen gërmimet ka pasur rëndësi strategjike edhe në periudha të mëvonshme historike. Burimet historike tregojnë se kjo trevë iu dha në zotërim Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu nga venecianët gjatë Mesjetës.

Arkeologët theksojnë se potenciali i zonës mbetet i jashtëzakonshëm, pasi në kodrën ku u konfirmua prania e tempullit janë identifikuar edhe 19 vendbanime të tjera që i përkasin periudhave të ndryshme historike. Zbulimet e reja pritet të hedhin më shumë dritë mbi organizimin politik, fetar dhe shoqëror të ilirëve në veri të Shqipërisë.

EMISIONET