PAMJET/ “Marubi”, me standarde ndërkombëtare të konservimit të arkivave fotografike

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është institucioni i parë në Shqipëri që ka zbatuar në mënyrë të plotë dhe sistematike standardet ndërkombëtare për konservimin e arkivave fotografike, duke u bërë një pikë referimi për institucionet kulturore në vend dhe rajon.
Prej vitit 2017, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka ndërmarrë një proces të thelluar dhe të mirëstrukturuar të konservimit të arkivit fotografik, duke transformuar rrënjësisht mënyrën e ruajtjes së kësaj pasurie kombëtare. Në qendër të këtij procesi ka qenë zëvendësimi i materialeve të vjetra dhe të papërshtatshme të ruajtjes me materiale profesionale arkivore të prodhuara nga Klug-Conservation, të cilat përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare për konservim afatgjatë.
Muzeu “Marubi” shpjegon se, ky proces konsiston në ndërhyrje të kujdesshme dhe sistematike mbi çdo njësi të arkivit: negativët janë nxjerrë nga kutitë dhe mbështjellëset e vjetra, shpesh të degraduara dhe me përmbajtje acide, të cilat përbënin rrezik real për dëmtimin e materialit fotografik. Në vend të tyre janë përdorur zarfe, ndarëse dhe kuti arkivore pa acid dhe pa ligninë, materiale të qëndrueshme kimikisht dhe të sigurta për kontakt afatgjatë me negativët fotografikë.

Rëndësia e këtij transformimi është thelbësore nga pikëpamja shkencore dhe konservuese. Materialet fotografike janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj faktorëve të mjedisit dhe ndaj përbërjes së materialeve ku ruhen.

Prania e aciditetit, lagështisë apo ndotësve të tjerë mund të shkaktojë degradim të pakthyeshëm, duke çuar në humbje të imazhit dhe të informacionit historik që ai mbart. Përmes përdorimit të materialeve inerte dhe të certifikuara, si polyesteri arkivor dhe kartonët me pH neutral ose të balancuar, është bërë e mundur stabilizimi kimik dhe fizik i koleksionit, duke garantuar ruajtjen e tij për dekada dhe shekuj.
Ky proces konservimi është në përputhje me standarde ndërkombëtare dhe garanton cilësinë dhe sigurinë e materialeve në kontakt me objektet fotografike, duke parandaluar degradimin e tyre me kalimin e kohës.


