Atelie trajnimi në Parkun Arkeologjik Kombëtar Bylis-Klos

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me partnerët universitarë dhe institucionet lokale, zhvilloi në Parkun Arkeologjik Kombëtar Bylis-Klos atelienë e trajnimit “Mirëmbajtja e mozaikut të nefit verior të Bazilikës B”.
Ndërhyrjet përfshinë dokumentimin e gjendjes së konservimit, konsolidimin e nënshtresave, rivendosjen e teserave të shkëputura, bordurimin dhe pastrimin e sipërfaqes së mozaikut.
Projekti shërbeu gjithashtu si trajnim praktik për specialistët e rinj të drejtorive rajonale të trashëgimisë kulturore dhe studentët e Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe në formimin e brezit të ri të profesionistëve të fushës.
Konservimi i mozaikut të Bazilikës B në Parkun Arkeologjik të Bylisit, u financua nga Bashkimi Evropian dhe i bashkëfinancuar dhe zbatuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit per Zhvillim (AICS) në partneritet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Më shumë sesa një ndërhyrje ruajtjeje, restaurimi i mozaikut të Bazilikës B u konceptua si një përvojë unike mësimi dhe ndërtimi kapacitetesh përmes zbatimit të Scuola Cantiere (Vendi i Hapur i Restaurimit), një model inovativ që kombinon ruajtjen e trashëgimisë me trajnimin praktik në terren.

