PDK KËRKON RINUMËRIM! Ankesa në PZAP rihap debatin për krizën politike kosovare

Dy kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë dorëzuar ankesë, duke kërkuar rinumërimin e votave dhe kundërshtuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ata pretendojnë se janë konstatuar gabime në numërim, ndërsa zhvillimi i ri rrezikon të zgjasë procesin e certifikimit dhe të thellojë ngërçin politik në Kosovë.

PDK KËRKON RINUMËRIM! Ankesa në PZAP rihap debatin për

Procesi zgjedhor në Kosovë mund të marrë një tjetër kthesë. Dy kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, kanë dorëzuar ankesë në PZAP- Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar rinumërimin e votave dhe duke kundërshtuar rezultatin përfundimtar të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas tyre, nga rinumërimi i një pjese të votave janë evidentuar gabime në regjistrimin fillestar, çka, sipas PDK-së, e bën të papranueshëm certifikimin e rezultatit aktual.

"Rezultati përfundimtar duhet të jetë i saktë dhe i pakontestueshëm. Po kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit dhe rinumërimin e votave."

Kandidatët argumentojnë se diferenca për fitimin e mandatit është shumë e ngushtë dhe se gabimet e konstatuara mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ndarjen e ulëseve në Kuvend.

"Çdo votë duhet të numërohet. Nuk kërkojmë asgjë të jashtëzakonshme, por vetëm respektimin e vullnetit të qytetarëve."

Tani pritet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Nëse urdhëron rinumërimin, procesi i certifikimit të rezultateve mund të shtyhet edhe për disa ditë, duke vonuar më tej konstituimin e institucioneve të reja.

Në rast se ankesat dhe procedurat zgjasin, Kosova rrezikon të përballet me një tjetër bllokadë politike, në një kohë kur skena politike mbetet e fragmentuar dhe partitë ende nuk kanë arritur një marrëveshje për formimin e shumicës parlamentare dhe qeverisë së re.

Ndërkohë, ambasadorët e vendeve perëndimore dhe partnerët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për konsensus politik dhe bashkëpunim ndërmjet partive, duke theksuar se funksionalizimi i institucioneve është i domosdoshëm për avancimin e proceseve integruese të Kosovës, përfshirë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe forcimin e aspiratave euroatlantike.

Vendimi i PZAP-së pritet të përcaktojë jo vetëm fatin e disa mandateve parlamentare, por edhe ritmin e daljes së Kosovës nga ngërçi i ri politik.

EMISIONET