Promovohet libri i Bardhyl Demirajt, “Don Gjon Buzuku dhe ‘Meshari’ i tij”

Komisioni i Përhershëm i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave, organizuan promovimin e librit “Don Gjon Buzuku dhe ‘Meshari’ i tij” i autorit Bardhyl Demiraj.
Prezantimi i librit kishte për synim të rikthente në qendër të vëmendjes rëndësinë e “Mesharit” si monumenti më i hershëm i gjuhës shqipe dhe kontributin e autorit Bardhyl Demiraj, i cili me këtë botim sjell një analizë të thelluar mbi figurën e Don Gjon Buzukut.
Në fjalën hapëse, prof. dr. Anila Omari, theksoi se studimet albanologjike dhe veçanërisht ato buzukiane pasurohen me monografinë e re të prof. Bardhyl Demirajt.
Prof. dr. Anila Omarit, u ndal te çështja e formimit teologjik-intelektual të Buzukut dhe te tekstet burimore që autori i monografisë ka identifikuar si modele mundshme të ‘Mesharit’. Ajo theksoi se hipoteza e aktivitetit të Buzukut në rajonin e Venecies si famullitar i Kishës së Shën Jobit është një mbështetje e rëndësishme për të kuptuar burimet dhe modelet që ai ka ndjekur në hartimin e veprës.
Ideja e autorit është që Buzuku u ndikua nga fryma e humanizmit të krishterë të kohës dhe vendit ku ai veproi, duke e pozicionuar Buzukun në rrethin e intelektualëve humanistë të diasporës shqiptare të shekujve XV-XVI si Marin Barleti, Marin Beçikemi, Gjon Gazulli, Dhimitër Frangu etj.
Prof. Omari përfundoi fjalën e saj duke theksuar se monografia shënon një etapë të re në studimet buzukiane dhe njëkohësisht hap rrugën për hulumtime të mëtejshme sipas një metode filologjike të përvijuar saktë e tashmë të sprovuar me rezultate konkrete.



