Nga feja, politika te kultura, PERSONALITETET që humbi Shqipëria gjatë 2025-ës

Shqipëria humbi gjatë këtij viti që po lëmë pas emra të njohur që kanë lënë gjurmë me kontributin e tyre në politikë, art, kinematografi, teatër, muzikë dhe media.
Më 25 janar u nda nga jeta Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, pas një beteje të gjatë shëndetësore. Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rivitalizuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist.
Me vizionin e tij hyjnor dhe punën e palodhur, ai rindërtoi jetën kishtare nga themelet, ndërtoi qindra kisha, themeloi institucione arsimore dhe bamirëse dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar shërbim të pafund dhe sakrificë për më shumë se 33 vite.
Më 9 mars ndërroi jetë ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani në moshën 54-vjeçare. Harasani ka drejtuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) nga viti 2002 deri në vitin 2005. Gjithashtu, Harasani ka qenë deputet i PS në periudhën 2005-2009. Në vitin 2012, Harasani dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe u shpërngul në SHBA.
Më 3 prill 2025, u nda nga jeta aktorja Margarita Xhepa, një nga aktoret më të mëdha të teatrit dhe kinemasë shqiptare, një ditë pas 93-vjetorit të lindjes së saj.
Margarita Xhepa, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi. Ajo lindi më 2 prill 1934 në Lushnjë. U aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor. Spikati në plejadën e kohës përmes interpretimit të rolit të Ofelisë të tragjedisë shekspiriane “Hamleti”, vënë në skenë në vitin 1960 prej regjisorit rus Bortko.
Xhepa pati një karrierë të jashtëzakonshme që zgjati mbi tetë dekada me role në teatër dhe film, duke u konsideruar një ikonë e skenës shqiptare. Veç çmimeve dhe titujve në karrierën e saj artistike si “Artiste e Popullit”, Margarita Xhepa është “Nder i Kombit” dhe u nderua me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
Më 23 maj u nda nga jeta Artan Lame, publicist, historian dhe figurë aktive në fushat e trashëgimisë kulturore dhe medias. Lame vdiq në Mynih, Gjermani, pas një ndërhyrjeje të komplikuar të zemrës dhe problemeve kardiake, pas së cilës përfundoi në koma dhe nuk u zgjua më. Lame ishte publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.
Përtej funksioneve publike, Lame ishte një njohës i thellë i historisë shqiptare dhe një zë i angazhuar në mediat shqiptare me analiza, shkrime dhe rubrika që sillnin në vëmendje ngjarje të rëndësishme historike. Koleksionist i pasionuar i artefakteve historike, ai kontribuoi edhe në promovimin e kulturës përmes ekspozitave dhe shkrimeve dokumentuese.
Regjisori i njohur shqiptar, Pirro Milkani u nda nga jeta më 24 maj. Milkani, një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare la gjurmë të pashlyeshme në artin dhe kulturën tonë kombëtare.
Milkani ishte një nga kineastët e parë të kinematografisë shqiptare, duke realizuar filma që mbetën në kujtesën dhe zemrat tona. Veprat e tij si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti” u bënë pjesë e identitetit tonë kulturor dhe janë dëshmi e talentit dhe përkushtimit të tij ndaj artit. Përveç kontributit të tij si regjisor, Milkani ishte edhe një edukator i përkushtuar, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të kineastëve shqiptarë.
Më 11 qershor u shua në moshën 81-vjeçare regjisori dhe skenaristi Leka Bungo, pas betejës me një sëmundje të rëndë. Bungo ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion. Në vitin 2001 u emërua anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së. Në vitin 2016 realizoi serialin “Rrokulisja”, i cili i referohej ngjarjeve të vitit 1997. Për një periudhë 4-vjeçare, nga viti 2021 deri në shkurt të 2025-ës, Bungo mbajti postin e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Naun Shundi, aktor, regjisor dhe dramaturg i shquar u nda nga jeta më 28 gusht, pas betejës me një sëmundje të rëndë. Naun Shundi dha një kontribut të çmuar për më shumë se katër dekada në fushën e aktrimit, regjisurës dhe dramaturgjisë. Gjatë karrierës së tij, Shundi interpretoi mbi 100 role në teatër dhe mori pjesë në rreth 20 filma.
Përveçse aktor dhe regjisor, ai ishte edhe themelues i teatrit të parë privat në Shqipëri, “Zonja e Bujtinës”. Shfaqja e fundit që vetë Shundi shkroi dhe vuri në skenë ishte monodrama “Njeriu i Pyllit”.
Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare pas një arresti kardiak. Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Për vite me radhë, Zheji do të jepte kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar. I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit.
Më 1 shtator u nda nga jeta regjisori i mirënjohur i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Anagnosti lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator. Anagnosti ka realizuar filma, në cilësinë e regjisorit dhe skenaristit e gjithashtu ka shkruar romane dhe drama.
Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e Karrierës” në Festivalin e 10-të të Filmit Artistik Shqiptar.
Sopranoja e mirënjohur Luiza Papa Çako u nda nga jeta më 29 shtator. Artistja ishte një nga emrat më të spikatur të skenës lirike shqiptare. Ajo kreu studimet e para për kanto në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të vijuar më pas karrierën si soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku për gati tri dekada realizoi role të spikatura në operat shqiptare dhe botërore.
Studimet e larta i thelloi në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë dhe më pas në Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Luiza Papa dha kontribute të spikatura edhe në koncerte, festivale e aktivitete të mëdha muzikore brenda dhe jashtë vendit.
Ish-kryeministri Fatos Nano u nda nga jeta më 31 tetor në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore. Në vitet ’80, Nano punoi në institucione ekonomike shtetërore dhe ishte ndër të paktët intelektualë që fliste për hapjen graduale të ekonomisë shqiptare. Në vitin 1990 u emërua Kryeministër nga Ramiz Alia, një pozicion që do t’i shërbente si trampolinë politike për fazën e re të jetës së tij. Nano ka shërbyer pesë herë si kryeministër dhe për 14 vjet e 1 muaj si kryetar i Partisë Socialiste, përfshirë vitet e burgut kur socialistët vendosën ta mbajnë kryetar.
Në vitin 2023, Kryeministri Edi Rama i akordoi Fatos Nanos “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues dhe demokratik, si dhe për reformimin dhe modernizimin e Partisë Socialiste.
Këngëtari i njohur shqiptar, Shpat Kasapi u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare më 26 nëntor si pasojë e një ataku kardiak. Shpat Kasapi i datëlindjes 1 maj 1985, hyri që në moshë fare të re në botën e showbiz-it dhe prej vitesh ai ka qenë një figurë e dashur në skenat ku këndohet shqip.
Shpati ishte me origjinë nga Tetova, por u bë i famshëm në gjithë trevat shqipfolëse me baladat romantike dhe këngët pop, që u bënë hite sidomos në fillimin e viteve 2000.
Më 22 dhjetor u nda nga jeta këngëtari i njohur Shemsi Krasniqi – Shemi i grupit “Ilirët”. Një prej këngëve që ka qenë hit nga Shemi, ishte ajo ‘Xhamadani vija-vija”.




