UEFA ndryshon rregullat për Euro 2028/ Organizatorët duhet të kualifikohen, hiqet bileta automatike

UEFA ka miratuar një format të ri për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2028, duke vendosur që edhe katër vendet organizatore të marrin pjesë në eliminatore dhe të mos sigurojnë më automatikisht një vend në fazën finale.
Sipas sistemit të ri, Anglia, Skocia, Uellsi dhe Republika e Irlandës do të garojnë në kualifikuese njësoj si të gjitha kombëtaret e tjera evropiane. I vetmi avantazh për organizatorët është se nuk do të shortohen në të njëjtin grup.
Në eliminatore do të marrin pjesë të 55 federatat anëtare të UEFA-s, të ndara në 12 grupe me nga katër ose pesë skuadra. Fituesit e grupeve dhe tetë vendet e dyta më të mira do të sigurojnë 20 vendet e para në fazën finale të Euro 2028.
UEFA ka rezervuar gjithashtu dy vende për organizatorët që nuk arrijnë të kualifikohen përmes eliminatoreve. Nëse një ose më shumë prej tyre sigurojnë kualifikimin me meritë, vendet rezervë do t'u jepen organizatorëve të mbetur me renditjen më të mirë.
Vendimi ka ngjallur diskutime, pasi vjen në kontrast me FIFA-n, e cila u ka garantuar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2030 disa prej vendeve organizatore, përfshirë Argjentinën, në kuadër të 100-vjetorit të turneut.


