Sulme me dronë në jug të Rusisë/ Pesë viktima, vijojnë b*mbardimet mes Moskës dhe Kievit

Luftimet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë vijuar me intensitet, ndërsa sulmet me dronë të ushtrisë ukrainase në jug të Rusisë kanë lënë të paktën pesë persona të vdekur dhe 17 të plagosur, sipas autoriteteve rajonale ruse.
Goditja më e rëndë u regjistrua në qytetin Rostov-on-Don, pranë Detit Azov, ku një dron goditi një ndërtesë banimi. Fillimisht u raportua vdekja e një çifti, por më vonë ekipet e kërkim-shpëtimit nxorën nga rrënojat edhe trupat e tre viktimave të tjera, mes tyre një fëmijë.
Guvernatori i rajonit të Rostovit bëri të ditur se pesë persona mbetën të plagosur, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike. Sipas autoriteteve, rënia e mbetjeve të dronëve shkaktoi edhe disa vatra zjarri në zona të ndryshme të qytetit.
Ndërkohë, bombardimet ruse ndaj Ukrainës vazhduan edhe gjatë ditës. Autoritetet ukrainase njoftuan se një civil humbi jetën në rajonin e Zaporizhias, ndërsa disa persona të tjerë mbetën të plagosur në rajonin e Sumyt.
Përplasjet mes dy vendeve vijojnë pa shenja të një armëpushimi, ndërsa sulmet ajrore dhe bombardimet vazhdojnë të shkaktojnë viktima dhe dëme në të dyja anët e kufirit.

