“Do t’ju vr*s të gjithëve”/ Zbardhet dëshmia e Rozalindës pas tragjedisë në Roskovec: Pashë babain në korridor, Refiti kishte a*mën në dorë

“Do t’ju vr*s të gjithëve”/ Zbardhet dëshmia e

Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë që tronditi Roskovecin, ku Refit Buzi vrau me armë zjarri prindërit e ish-partneres së tij, Kosta dhe Bejlere Plaka, dhe më pas mori peng 24-vjeçaren Rozalinda Plaka. Vajza ka dhënë dëshminë e saj para efektivëve të Policisë së Fierit, në prani të psikologes, duke rrëfyer momentet e tmerrit brenda banesës dhe orët e mbajtjes peng.

Rozalinda ka treguar se lidhja me Refit Buzin kishte nisur në vitin 2020, kur ata kishin shpallur fejesën dhe kishin krijuar marrëdhënie familjare. Sipas saj, lidhja vazhdoi deri në vitin 2024, kur ajo vendosi të ndahej për shkak të problemeve në marrëdhënie.

Ajo ka treguar se ish-partneri nuk e kishte pranuar ndarjen, ndërsa arsyet që e çuan drejt këtij vendimi lidhen me jetën e çrregullt të tij, mungesën e përkushtimit ndaj lidhjes dhe faktin që ai kishte qëndruar më herët në burg jashtë shtetit.

Sipas dëshmisë, edhe prindërit e saj nuk kishin qenë dakord me këtë marrëdhënie që në fillim.

Në rrëfimin e saj, Rozalinda ka treguar se natën e ngjarjes ndodhej duke fjetur në dhomën e saj, ndërsa prindërit ishin në dhomën tjetër të banesës.

Ajo ka përshkruar momentin kur dëgjoi një zhurmë të fortë që iu duk si krismë arme dhe doli në korridor për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur.

Aty, sipas saj, pa ish-partnerin me një armë të gjatë në dorë, ndërsa babai i saj, Kosta Plaka, ishte i shtrirë pranë hyrjes së dhomës, i mbuluar në gjak.

“Kur dola, pashë shtetasin Refit Buzi në korridor, me një armë të gjatë, si ato të gjahut, në dorë. Po ashtu pashë babanë tim, Kosta Plaka, të shtrirë përmbys pranë hyrjes së dhomës, i mbuluar me gjak”, mësohet të ketë rrëfyer ajo.

Rozalinda ka treguar se është përpjekur t’i marrë armën nga dora autorit, por situata është përshkallëzuar.

Sipas dëshmisë së saj, Buzi ka bërtitur: “Do t’ju vras të gjithëve”, ndërsa më pas e ka shtyrë dhe goditur.

Ajo ka rrëfyer se autori ka dëmtuar derën e dhomës së saj, ndërsa copat e xhamit e kanë plagosur në trup.

Më pas, sipas saj, ai e ka marrë me forcë nga banesa dhe e ka futur në automjet. Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, 24-vjeçarja ka treguar se nuk mban mend qartë çdo moment nga dalja prej shtëpisë deri te hipja në makinë.

Pas largimit nga banesa, Refit Buzi e mbajti Rozalinda Plakën peng për disa orë. Gjatë kësaj kohe, ai komunikoi me punonjës të policisë dhe kërkoi të dorëzohej.

Sipas dëshmisë së vajzës, ai u thoshte efektivëve se nuk do ta dëmtonte atë dhe se po e mbante “për vetëmbrojtje”, ndërsa paralajmëronte se do të vriste veten.

Rozalinda u lirua pas ndërhyrjes së shefit të Stacionit të Policisë së Roskovecit, Mariglen Koroveshaj, i cili negocioi drejtpërdrejt me autorin.

Koroveshaj ka treguar se Buzi kishte kërkuar të komunikonte vetëm me të dhe kishte vendosur si kusht që ai të afrohej pa armë.

Pas lirimit të 24-vjeçares, ajo u largua nga zona e rrezikut në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike, ndërsa forcat speciale RENEA vijuan rrethimin e autorit në zonën e Kurjanit.

Pas disa orësh negociata, Refit Buzi vrau veten me armë zjarri.

Ngjarja ndodhi në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ku mëngjesin e së premtes humbën jetën Kosta dhe Bejlere Plaka, ndërsa vajza e tyre shpëtoi pas një nate të gjatë ankthi dhe negociatash.

 

EMISIONET