Nga mbrojtës në portier/ Liridon Berisha debuton mes shtyllave pas kartonit të kuq të portierit të Vaduzit

Mbrojtësi kosovar Liridon Berisha u bë një nga figurat më të veçanta të javës së parë në elitën e futbollit zviceran, pasi u detyrua të luante si portier në minutat e fundit të sfidës mes Vaduzit dhe Luganos.
28-vjeçari veshi dorezat dhe zuri vendin mes shtyllave në minutën e 82-të, pasi portieri Leon Schaffran u ndëshkua me karton të kuq dhe Vaduz kishte kryer të gjitha zëvendësimet.
“Një gjë e tillë nuk planifikohet. Nuk e mbaj mend herën e fundit kur kam luajtur në portë, ndoshta kur isha pesë ose gjashtë vjeç”, tha Berisha me humor pas ndeshjes.
Debutimi i tij si portier nisi me fat, pasi një goditje dënimi e Luganos u ndal nga traversa. Më pas, mbrojtësi kosovar reagoi me siguri në disa raste, duke e mbyllur ndeshjen pa pësuar gol si portier.
Megjithatë, Vaduz nuk arriti të shmangte humbjen 2-1 ndaj Luganos në ndeshjen e parë të sezonit, duke e nisur me disfatë rikthimin në Superligën zvicerane pas pesë vitesh mungesë.
Pas sfidës, Berisha u shpreh i zhgënjyer me rezultatin, por theksoi se skuadra kishte zhvilluar një paraqitje të mirë. Ai shtoi se shpreson të mos i duhet ta përsërisë rolin e portierit, por se është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë ekipin kur të jetë e nevojshme.


