Lezha tërheq më shumë turistë, rritje me 15% e vizitorëve në sitet kulturore / Memoriali i Skënderbeut më i vizituar

Turizmi kulturor në Lezhë po shënon rritje gjatë këtij sezoni veror, me një shtim prej 15% të numrit të vizitorëve krahasuar me një vit më parë.
Vëmendjen më të madhe të turistëve vijon ta marrë Memoriali i Gjergj Kastriotit, i cili mbetet një nga pikat kryesore historike të qytetit. Krahas tij, interes të shtuar kanë edhe Muzeu Etnografik dhe Muzeu Arkeologjik i Lezhës, i hapur së fundmi pranë Kalasë Mesjetare.
Sipas përgjegjësit të Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë, Paulin Zefi, këtë vit numri i vizitorëve në sitet kulturore ka arritur rreth 25 mijë persona, ndërsa turistët amerikanë janë ndër grupet më të pranishme.
“Objekti kryesor që merr vëmendjen është Memoriali i Gjergj Kastriotit. Krahas shqiptarëve të Kosovës, kemi edhe shumë turistë të huaj, ku dominojnë vizitorët nga Amerika”, u shpreh Zefi.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit, mbi 15 mijë persona kanë vizituar Memorialin e Gjergj Kastriotit. Pritet që fluksi i turistëve të rritet më tej gjatë periudhës së pikut turistik, nga mesi i korrikut deri në fund të gushtit.


