30 shtëpi botuese nga trevat shqipfolëse në Panairin e Librit Presheva 2026

Panairi i Librit “Presheva 2026” çelet sot në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica”.
Me moton “Libri dhe tradita”, rreth 30 shtëpi botuese do të prezantojnë për dy ditë me mijëra tituj për të gjitha moshat dhe zhanret, ekspozitë me vepra të artistëve nga Presheva, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të shoqëruara me tingujt e muzikës sonë tradicionale.
Ky është edicioni i dytë i këtij panairi i cili organizohet nga Biblioteka “Mehmet Jusufi” në Preshevë dhe Shtëpia Botuese “Albas”, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, ambasadës shqiptare në Serbi, Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Komunës së Preshevës.
Ky panair konsiderohet si një hapësirë e rëndësishme takimi për botues, institucione kulturore, autorë dhe lexues, duke promovuar librin, leximin dhe trashëgiminë tonë kulturore.
Në edicionin e tij të dytë, Panairi i Librit në Preshevë po konsolidohet si një ngjarje me rëndësi të veçantë për promovimin e kulturës së librit shqip, duke forcuar bashkëpunimin kulturor dhe lidhjet ndërmjet institucioneve, botuesve, autorëve dhe lexuesve në të gjitha trevat shqipfolëse.

