FOTO/ Ujësjellësi qindravjeçar i Domgjonit, vepër e rrallë hidroteknike

FOTO/ Ujësjellësi qindravjeçar i Domgjonit, vepër e

Një vepër e rrallë hidroteknike, e ndërtuar shekuj më parë dhe ende në funksion, ruhet në fshatin Domgjon të Bashkisë Mirditë. Ujësjellësi i Domgjonit, i njohur edhe si Gurra e Domgjonit, përfaqëson një nga dëshmitë më të rëndësishme të inxhinierisë së lashtë në vend.

I shpallur Monument Kulture, Kategoria I, që në vitin 1984, ujësjellësi shquhet për teknikën e ndërtimit me tunele dhe puse nëntokësore, një sistem që dëshmon njohuri të avancuara inxhinierike për kohën. Mendohet se është ndërtuar në shekullin e gjashtë.

Së bashku me fortifikimin e njohur nga banorët si “Qyteza”, që ngrihet mbi fshat, kjo vepër flet për ekzistencën e një vendbanimi të rëndësishëm dhe të organizuar që në lashtësi.

Tuneli është ndërtuar në formën e një galerie horizontale, me mure anësore të punuara me kujdes dhe i mbuluar me qemer. Me një gjerësi rreth një metër dhe një lartësi që varion nga 80 centimetra deri në 1.3 metra, ai lejonte kalimin e njeriut të përkulur për mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit.

Rreth 100 metra larg daljes së tunelit, aty ku buron uji i ftohtë dhe i kristaltë, ndodhet pusi i kontrollit.

Hyrja e tij, e kamufluar në sipërfaqen e tokës, të çon përmes 23 shkallëve prej guri të vendosura në formë spiraleje në një thellësi prej tetë metrash. Në fund ndodhet puseta e kontrollit, një element që dëshmon funksionalitetin dhe sofistikimin teknik të kësaj vepre të rrallë.

Ujësjellësi i Domgjonit mbetet një dëshmi e çmuar e mjeshtërisë ndërtimore dhe inxhinierisë së lashtë shqiptare.

I ndërthurur në mënyrë harmonike me peizazhin natyror, ai përfaqëson një nga pasuritë më të veçanta të trashëgimisë kulturore dhe një destinacion me vlera të spikatura për turizmin kulturor e natyror në Mirditë.

EMISIONET