Kurti kërkon statusin kandidat për Kosovën në BE/ Takim me ambasadorin irlandez Almqvist pas marrjes së Presidencës së Këshillit të BE-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin jo-rezident të Irlandës për Kosovën, Ragnar Almqvist, dy javë pasi Irlanda mori Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Kurti e cilësoi Irlandën si një shtet mik dhe partner të rëndësishëm për Kosovën, duke vlerësuar mbështetjen e saj në kuadër të misioneve ndërkombëtare si KFOR dhe EULEX.
Gjatë takimit, Kurti ka theksuar se Kosova ka bërë progres në reformat demokratike dhe ekonomike, duke kërkuar që vendit t’i njihet përparimi përmes marrjes së statusit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas Kurtit, Kosova është një nga demokracitë më të avancuara në rajon, me rritje ekonomike dhe një orientim të qartë drejt politikave të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Ai ka nënvizuar se mbështetja qytetare për integrimin evropian dhe përafrimi me politikat e Unionit përbëjnë argumente shtesë për avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.


