Nora Kelmendi e para në garën për drejtoreshë të AKP-së/ Asamblistja e LVV-së kryeson listën me 86.6 pikë

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka publikuar rezultatet e procesit të përzgjedhjes për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv, ku kandidatja Nora Kelmendi është renditur e para.
Kelmendi, e cila është anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka grumbulluar gjithsej 86.6 pikë, duke marrë 30 pikë në testin me shkrim dhe 56.6 pikë në intervistë.
Në vendin e dytë është renditur Yll Buleshkaj, aktualisht drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me 81.2 pikë. Ai ka marrë 31 pikë në testin me shkrim dhe 50.2 pikë në intervistë.

Pozitën e tretë në listë e mban Alban Maliqi me 72.2 pikë, ndërsa i katërti është renditur Muharrem Arifi me 71 pikë.
Rezultatet janë publikuar pas përfundimit të procesit të vlerësimit të kandidatëve që garuan për drejtimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Tashmë, pritet vijimi i procedurave për emërimin e drejtorit të ri ekzekutiv të institucionit.


