FOTO-REPORTAZHI/ Turistët “zbulojnë” Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pjesë e turit të Tiranës

FOTO-REPORTAZHI/ Turistët “zbulojnë” Kryegjyshatën

Grumbujt e turistëve tek rrethrrotullimi i Shkozës janë pamje e pazakontë ndërsa mendon se ndodhesh në periferi dhe nuk ka asnjë atraksion përreth që mund të tërheqë vëmendjen e tyre.

U vemë pas ndërsa ecin në trotuar grupe-grupe. Janë 43 turistë nga Belgjika të drejtuar nga një guidë shqiptare që i udhëheq drejt Kryegjyshatës Botërore Bektashiane që ndodhet në një zonë të ngritur të lagjes, rrethuar me mure dhe me portë të madhe të hapur kanat.

Ndodhet në rrugën “Dhimitër Kamarda”, në skajin lindor të Tiranës.

Sapo hyn në selinë botërore të bektashinjve vë re se gjithçka është e sistemuar bukur, me një rrugë të shtruar të gjerë e me lule gjithandej.

Kompleksi ka arkitekturë mbresëlënëse dhe siç mësuam më vonë është realizuar nga një skuadër arkitektësh dhe specialistësh shqiptarë e të huaj. Arkitekti shpirtëror dhe ideatori i vërtetë i kupolës dhe i gjithë kompleksit monumental të Odeonit ishte i ndjeri Haxhi Dede Reshat Bardhi. Ai e ëndërroi dhe e projektoi në mendjen e tij këtë vepër shumë kohë përpara se të niste ndërtimi, si një amanet që u jetësua më pas nga pasardhësi i tij, Baba Mondi.

Odeoni i madh që është faltorja qendrore është pjesa e parë ku ndalen turistët, të cilët vizitojnë me pas Muzeun e Bektazhizmit të inkorporuar në një godinë mbresëlënëse.

Ndërsa turistët shpërndahen për të parë stendat e muzeut me objekte dhe shpjegime të pasura për historinë, kulturën dhe trashëgiminë e bektashizmit në Shqipëri, gjejmë momentin të bisedojmë me muzeologen Sotirulla Hoxha.

Emër dhe mbiemër i kombinuar në mënyrë atipike por jo për në Shqipëri. Ortodokse nga Gjirokastra martuar me një bektashi, Luli siç i thërrasin ka punuar me dekada në Muzeun Historik Kombëtar e tashmë i është përkushtuar punës për muzeun e Bektazhizmit.

Ajo na tregon se vizita të tilla me grupe të mëdha turistësh janë diçka e zakonshme gjatë sezonit turistik veror por vizita ka pothuajse në çdo stinë të vitit, nga grupe të institucioneve të ndryshme, delegacione të huaja, studiues, profesorë, dashamirës e kureshtarë.

Duket se Kryegjyshata është përfshirë në guidat turistike të Tiranës dhe Hoxha e pohon një gjë të tillë, pasi grupet që vijnë aty e kanë programuar si pjesë e turit të kryeqytetit shqiptar.

Kompleksin e vizitojnë turistë nga e gjithë bota, siç tregon ajo, nga Ballkani, Evropa Perëndimore, Izraeli, Turqia e nga vende të largëta. Vizitorët janë të interesuar për historinë e besimit bektashi dhe narrativa fokusohet sidomos tek toleranca dhe mënyrat e veçanta e unike të këtij besimi që sa ngjajnë aq edhe ndryshojnë me ato të besimeve të tjera nën Islamin.

Kompleksi i ri i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane (i njohur si Odeoni ose Faltorja e Madhe) u inaugurua zyrtarisht më 7 shtator 2015 ndërkohë që selia u rihap zyrtarisht më 22 mars 1991, pikërisht në Ditën e Sulltan Nevruzit, pas rënies së komunizmit duke shënuar këtë vit 35-vjetorin.

Ky projekt madhor, i cili përfshin Faltoren Qendrore, Muzeun e Bektashizmit, bibliotekën dhe arkivën, u përfundua nën kujdesin dhe drejtimin e Kryegjyshit Botëror, Shenjtërisë së Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, duke jetësuar kështu vullnetin e paraardhësit të tij, Dede Reshat Bardhi.

Në ceremoninë madhështore të inaugurimit morën pjesë udhëheqësit më të lartë të shtetit shqiptar, krerët e të gjitha komuniteteve fetare në vend, si dhe dhjetëra klerikë e personalitete të ftuar nga mbarë bota.

Sipas Enverit, ciceronit të muzeut që shoqëroi turistët belgë, hapësira muzeale është e organizuar në strukturë simbolike dhe përmban strukturën e 12 imamëve.

12 shpjegon ai është numër mistik.

Muzeu ka ekzaktesisht 12 stenda dhe 12 vitrina, në nderim të 12 Imamëve të shenjtë.

Po ashtu aty gjenden relike dhe dokumente, libra të shenjtë, dorëshkrime të rralla, veshje tradicionale të klerikëve (të paraqitura me manikinë) dhe sende personale të ish-Kryegjyshërve Botërorë.

Brenda muzeut janë rindërtuar tre hapësira tradicionale: Oxhaku i kafesë, këndi i Ashures dhe këndi i Pelegrinazhit sikundër edhe një hapësirë e veçantë që dokumenton kontributin e bektashinjve për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri.

Ndërkaq, brenda muzeut gjendet edhe galeri e përhershme arti me vepra të piktorit të njohur shqiptar me famë ndërkombëtare, Omer Kaleshi.

Turistët duken kureshtarë dhe pyesin. Njëri prej tyre është i interesuar të dijë për ngjyrat e bektashinjve. Ciceroni i shpjegon se jeshilja është ngjyra e përtëritjes, ashtu si përtërihet jeta në pranverë ndërsa e bardha është ngjyra e pastërtisë shpirtërore.

Turistët interesohen po ashtu edhe për ndryshimet që paraqet bektashizmi me Islamin tradicional.

Ndërkaq, muzeologia Hoxha shpjegon punën e madhe që është bërë për ta ngritur muzeun i cili vijon të plotësohet me skeda personale për çdo objekt. Ajo thotë se është aplikuar që muzeu të marrë statusin muze kombëtar nga Komiteti Shtetëror i Muzeve.

Turistët e kanë “zbuluar” vitet e fundit Kryegjyshatën por ajo është vend pelegrinazhi për shumë besimtarë vendas pasi aty ndodhet edhe tyrbja që përmban varret e disa figurave të rëndësishme të tarikatit.

Në tyrbet (mauzoleumet e shenjta) brenda kompleksit prehen ish-Kryegjyshërit Botërorë (Dedebaballarët) dhe klerikë të tjerë të lartë që kanë udhëhequr Urdhrin Bektashi ndër vite.

Në këto tyrbe ndodhen varret e figurave historike si Sali Niazi Dede, Kryegjyshi Botëror i cili zhvendosi Selinë e Shenjtë nga Turqia në Shqipëri në vitin 1930. Ai ra si “Dëshmor i Atdheut” në vitin 1941, Kamber Ali Dede: Udhëheqës shpirtëror i Kryegjyshatës në periudhën e pasluftës, Abaz Hilmi Dede një tjetër Kryegjysh Botëror me kontribut të madh në organizimin klerikal. Ahmet Myftar Dede, klerik i shquar i cili udhëhoqi komunitetin para ndalimit të fesë nga regjimi komunist apo edhe Haxhi Dede Reshat Bardhi, Kryegjyshi Botëror i cili ringriti bektashizmin pas rënies së komunizmit në vitin 1991 dhe udhëhoqi Selinë e Shenjtë deri në ndarjen nga jeta në vitin 2011.

Këto tyrbe konsiderohen “vende të mira” dhe pika të rëndësishme pelegrinazhi dhe vizitohen çdo ditë nga besimtarët për të bërë lutje, ndezur qirinj dhe për të nderuar kujtimin e udhëheqësve shpirtërorë.

Ashtu si e do tradita, ciceroni fton turistët të marrin një karamele ndërsa dalin, për mbarësi dhe ëmbëlsi duke iu uruar udhëtim të mbarë drejt shtëpive të tyre dhe pse jo vizita të tjera në Shqipëri./ATSH

EMISIONET