PAMJET/ Tensione në Rrjoll, banorët përplasen me policinë dhe shembin rrethimin me hekura

Tensione në protestën e Rrjollit në Velipojë. Banorët janë përplasur me policinë në vendin ku po ndërtohet resorti turistik, projekt të cilin ata e kundërshtojnë. Pasi janë përplasur me policinë, banorët kanë hequr një pjesë të rrethimit me kangjella.

Me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, banorët kanë lëshuar thirrje kundër klasës politike në vend.

Protestuesit kanë tentuar po ashtu të bllokojnë makineritë që punojnë për ndërtimin e resortit, ndërsa policia po tenton që t’i largojë prej aty. Mes tensioneve, banorët kanë lëshuar thirrje edhe përmes pankartave; “Jemi fëmijët e Rrjollit, toka nuk preket!”.

PROTESTA

Pas rrethimit të truallit me tela me gjemba pak ditë më parë, banorët e Baks-Rrjollit në Velipojë kanë dalë në protestë, duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në tokat për të cilat kanë pretendime pronësie.

Prej afro një viti banorët e Baks-Rrjollit kundërshtojnë këtë projekt, me pretendimin se një ish-zyrtar i Kadastrës së Shkodrës ka tjetërsuar certifikatat e pronësisë, duke përvetësuar truallin dhe duke ia shitur investitorit që do të ndërtojë resortin turistik përballë bregdetit të Velipojës.

Që prej muajit janar të këtij viti, kur ndërtuesi nisi sistemimin e zonës me ekskavatorë, banorët e Baks-Rrjollit kanë protestuar pothuajse çdo ditë, duke u përplasur fizikisht me punonjësit e kompanisë, si dhe me rojet private të vendosur nga investitori.

PAMJET/ Tensione në Rrjoll, banorët përplasen me policinë

Përplasjet e dhunshme janë pasuar nga shoqërime dhe procedime të shumta për banorët e Baks-Rrjollit, kurse ndërhyrjet në terren për ndërtimet kanë vijuar, ndonëse çështja po ndiqet nga Prokuroria e Shkodrës. Po ashtu, banorët prej 2 javësh, i janë bashkuar protestave masive në Tiranë, duke e konsideruar situatën si vjedhje të pronës private.

EMISIONET