Harrojeni “tipin ideal!" Dashuria e vërtetë mund të fshihet te personi që nuk është tipi juaj!

Në një kohë kur aplikacionet e takimeve dhe algoritmet duket se kanë marrë kontrollin e jetës romantike, një trend i ri po fiton terren mes atyre që kërkojnë partnerin ideal.
I quajtur “Curveball-Crushing”, ai inkurajon njerëzit të dalin nga zona e rehatisë dhe t’u japin një mundësi personave që nuk përputhen me listën e tyre tradicionale të preferencave.
Koncepti vjen nga bejsbolli, ku “topi i lakuar” është një goditje e paparashikueshme që ndryshon drejtim në momentin e fundit. Në marrëdhënie, kjo përkthehet në gatishmërinë për t’u lidhur me dikë që nuk i përshtatet modelit tonë ideal, por që mund të sjellë surpriza pozitive.
Ekspertët thonë se trendi po fiton popullaritet si reagim ndaj asaj që njihet si “lodhja nga takimet”, një fenomen që prek shumë përdorues të aplikacioneve romantike.
Pas viteve të tëra filtrash, kriteresh dhe përzgjedhjesh të pafundme, shumë persona kanë kuptuar se përputhjet më “perfekte” nuk kanë sjellë domosdoshmërisht lidhje të suksesshme.
Sipas studimeve në fushën e neuroshkencës, njerëzit priren të ndihen të tërhequr nga persona që u duken të njohur ose që përputhen me modele të krijuara që në fëmijëri.
Kjo ndjenjë familjariteti shpesh ngatërrohet me dashurinë, ndërsa në të vërtetë mund të jetë thjesht një reagim i trurit ndaj së njohurës.
Antropologia Helen Fisher argumenton se truri krijon një “gjurmë dashurie” të pavetëdijshme, e cila ndikon në zgjedhjet romantike.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se lidhjet më të forta shpesh ndërtohen me kalimin e kohës, përmes besimit, afërsisë dhe njohjes së ndërsjellë.
Përkrahësit e “Curveball-Crushing” besojnë se dashuria nuk mund të reduktohet në algoritme apo lista kriteresh. Sipas tyre, ndonjëherë mundësitë më të mira vijnë pikërisht nga njerëzit që në shikim të parë nuk do t’i kishim konsideruar si partnerë të mundshëm.

