Vaksina kundër gripit mund të ulë deri në 55% rrezikun e Alzheimerit

Vaksina kundër gripit mund të ulë deri në 55% rrezikun e

Një studim i ri shkencor po forcon hipotezën se disa vaksina të zakonshme mund të ofrojnë mbrojtje edhe kundër një prej sëmundjeve më të frikshme të moshës së tretë: Alzheimerit dhe formave të tjera të demencës, shkruan salute.eu.

Pas rezultateve premtuese të publikuara më herët për vaksinën kundër herpes zosterit (i njohur si “zjarri i Shën Antonit”), një kërkim i ri i botuar në revistën Neurology tregon se edhe vaksina kundër gripit mund të lidhet me një ulje të ndjeshme të rrezikut për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.

Studimi, i udhëhequr nga studiuesit Avram Bukhbinder dhe Paul Schulz në Houston, analizoi të dhënat e afro 200 mijë personave mbi 65 vjeç.

Shkencëtarët krahasuan efektet e vaksinës standarde kundër gripit me ato të versionit me dozë të lartë, i projektuar posaçërisht për të moshuarit, tek të cilët sistemi imunitar është më pak efektiv.

Rezultatet treguan se personat që kishin marrë vaksinën me dozë të lartë kishin rreth 55% më pak gjasa të diagnostikoheshin me Alzheimer krahasuar me ata që kishin marrë dozën standarde. Ndërkohë, edhe vaksina standarde lidhej me një ulje prej rreth 40% të rrezikut krahasuar me personat e pavaksinuar.

Sipas autorëve, të dhënat sugjerojnë një lidhje të fortë midis stimulimit të sistemit imunitar dhe mbrojtjes së trurit nga proceset neurodegjenerative.

Një detaj interesant është se efekti mbrojtës u vu re më qartë tek gratë, një prirje që është shfaqur edhe në studime të tjera të ngjashme.

Provat nga vaksina kundër herpes zosterit

Interesi i komunitetit shkencor për këtë fenomen u rrit ndjeshëm pas një studimi të publikuar në vitin 2025 në revistën shkencore Nature. Kërkimi, i udhëhequr nga studiuesi Pascal Geldsetzer, analizoi efektet e vaksinës kundër herpes zosterit në Uells.

Falë një programi vaksinimi që kishte vendosur një kufi të qartë moshe për përfituesit, studiuesit patën mundësinë të krahasojnë dy grupe pothuajse identike njerëzish, të ndryshuar vetëm nga fakti nëse kishin marrë ose jo vaksinën.

Pas shtatë vitesh ndjekjeje, rezultoi se personat e vaksinuar kishin rreth 20% më pak gjasa të merrnin një diagnozë demence krahasuar me ata që nuk ishin vaksinuar.

Si mund të mbrojë trurin një vaksinë?

Shkencëtarët ende nuk kanë një përgjigje përfundimtare, por disa teori po fitojnë terren.

Në rastin e herpes zosterit, besohet se vaksina pengon riaktivizimin e virusit që qëndron i fjetur në sistemin nervor pas infektimit me linë e dhenve.

Këto riaktivizime mund të shkaktojnë procese inflamatore kronike që dëmtojnë trurin me kalimin e viteve.

Për vaksinën kundër gripit, mekanizmi mund të jetë më i gjerë.

Studiuesit mendojnë se një sistem imunitar i stimuluar dhe i trajnuar më mirë mund të reduktojë inflamacionin kronik, i cili konsiderohet një nga faktorët që kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative.

EMISIONET