"Terapia hormonale rrit rrezikun për kancer" - PL: Mijëra qytetarë përballen çdo ditë me mungesën e ilaçeve jetike
Partia e Lirisë ka reaguar sërish për terapinë hormonale falas që ofrohet në QSUNT nga Ministria e Shëndetësisë për personat transgjinorë.
Në një deklaratë nga selia e PL, sekretarja për Mardhëniet me Publikun, Arla Merja tha se ndërsa mijëra qytetarë shqiptarë vazhdojnë të përballen çdo ditë me mungesën e ilaçeve jetike, qeveria zgjedh të investojë fondet publike për terapitë hormonale.
Sipas PL, Vetë dokumentet orientuese të publikuara theksojnë se terapitë hormonale nuk janë pa rreziqe dhe se ato kërkojnë monitorim të vazhdueshëm mjekësor për shkak të komplikacioneve të mundshme, përfshirë probleme kardiovaskulare, çrregullime metabolike dhe komplikacione të tjera serioze.
Partia e Lirisë shtroi një sërë pyetjet për diskutim për qeverinë shqiptare, duke theksuar se shëndetësia ka nevojë për prioritete të qarta: shpëtimin e jetëve, garantimin e ilaçeve, përmirësimin e kushteve në spitale dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet shëndetësore.
Deklarata e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Znj. Arla Merja.
Sot, ndërsa qeveria zgjedh të investojë fondet publike për terapitë hormonale për personat transgjinorë, mijëra qytetarë shqiptarë vazhdojnë të përballen çdo ditë me mungesën e ilaçeve jetike, me spitale pa kushtet minimale dhe me një sistem shëndetësor që nuk arrin t’u përgjigjet nevojave më bazike të pacientëve.
Në vend që prioritet të jenë pacientët me sëmundje onkologjike që presin me muaj për medikamente, të sëmurët kronikë që detyrohen t’i blejnë vetë ilaçet, apo familjet që përballen me mungesa të vazhdueshme në spitalet publike, qeveria po avancon këtë udhëzim, për një çështje që kërkon një debat të gjerë shkencor, etik dhe shoqëror.
Vetë dokumentet orientuese të publikuara theksojnë se terapitë hormonale nuk janë pa rreziqe dhe se ato kërkojnë monitorim të vazhdueshëm mjekësor për shkak të komplikacioneve të mundshme, përfshirë probleme kardiovaskulare, çrregullime metabolike dhe komplikacione të tjera serioze.
Po ashtu, literatura mjekësore ndërkombëtare ka evidentuar se përdorimi i estrogjenit pa mbrojtjen e duhur hormonale mund të rrisë rrezikun për kancer, çka e bën të domosdoshëm vlerësimin e kujdesshëm nga specialistët dhe ndjekjen afatgjatë të pacientëve. Këto janë çështje që kërkojnë transparencë të plotë dhe informim të saktë të opinionit publik.
Pyetja që shtrojnë sot qytetarët është e thjeshtë: a i ka zgjidhur shteti shqiptar problemet urgjente të shëndetësisë që të kalojë tek ndryshimi i gjinisë?
A janë furnizuar spitalet me të gjitha medikamentet e nevojshme?
A kanë pacientët me kancer dhe leucemi akses të garantuar në trajtimet e tyre?
A kanë qytetarët kushte dinjitoze në spitalet publike?
A është eliminuar korrupsioni dhe mungesa e shërbimit në sistemin shëndetësor?
Përgjigjja, fatkeqësisht, është jo.
Shëndetësia shqiptare ka nevojë për prioritete të qarta: shpëtimin e jetëve, garantimin e ilaçeve, përmirësimin e kushteve në spitale dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet shëndetësore.
Në një vend ku prindërit detyrohen të kërkojnë ilaçe derë më derë, ku pacientët përballen me mungesa të vazhdueshme dhe ku mjekët punojnë në kushte të vështira, qeveria ka detyrimin moral dhe institucional që fillimisht të zgjidhë problemet jetike të shumicës së qytetarëve.
Ne kërkojmë që asnjë shqiptar të mos mbetet pa ilaçin që i shpëton jetën, ndërsa shteti zgjedh të injorojë plagët e hapura të sistemit tonë shëndetësor.
Sepse një qeveri gjykohet jo nga propagandat që prodhon, por nga mënyra se si kujdeset për të sëmurët, të pambrojturit dhe ata që kanë më shumë nevojë për shtetin e tyre.


