Elon Musk hyn në histori si trilioneri i parë në botë

Elon Musk hyn në histori si trilioneri i parë në botë

Elon Musk është bërë personi i parë në histori, që arrin një pasuri neto prej 1 trilion dollarësh, pasi aksionet e kompanisë së tij hapësinore “SpaceX” regjistruan në bursën amerikane “Nasdaq”, një rritje të fortë që në ditën e parë të tregtimit, raportoi BBC.

Aksionet e “SpaceX” nisën tregtimin para mesditës me çmimin 150 dollarë për aksion, dhe e mbyllën seancën në 160,95 dollarë.

Gjatë ditës, çmimi arriti deri në 176 dollarë për aksion, përpara se të tërhiqej në orët e fundit të tregtimit.

Sipas llogaritjeve të “Bloomberg”, rritja e vlerës së aksioneve, e ka çuar pasurinë e Musk mbi pragun e 1 trilion dollarëve, duke e bërë atë trilionerin e parë në botë.

Megjithatë, pjesa më e madhe e kësaj pasurie është e lidhur me aksionet, që ai zotëron në “SpaceX”, që do të thotë se vlera e saj, mund të luhatet në varësi të ecurisë së tregut.

Tregtimi i “SpaceX” konsiderohet si oferta publike fillestare (IPO) më e madhe që nga dalja në bursë, e kompanisë saudite “Saudi Aramco” në vitin 2019.

Për qindra punonjës të “SpaceX” që zotërojnë aksione në kompani, ky zhvillim mund të përkthehet në fitime të jashtëzakonshme financiare.

Pavarësisht pasurisë së tij kolosale, Musk ka deklaruar prej vitesh se nuk ndjek një stil jetese luksoz.

Në vitin 2020 ai njoftoi se do të shiste pothuajse të gjitha pronat e tij të paluajtshme, duke thënë se dëshironte t’i përkushtohej misioneve që lidhen me Tokën dhe Marsin.

Një vit më vonë, Musk shkroi në rrjetet sociale se banesa e tij kryesore, ishte një shtëpi e thjeshtë e parafabrikuar, në jug të Teksasit, me vlerë rreth 50 mijë dollarë.

Megjithatë, ai vazhdon të zotërojë një flotë avionësh privatë dhe një koleksion të veçantë automjetesh, mes tyre edhe një “Lotus Esprit” i vitit 1976, i njohur nga filmi i James Bond “The Spy Who Loved Me”, i cili transformohet në nëndetëse.

Përtej suksesit në biznes, Musk është kthyer në një nga figurat më të debatueshme në arenën publike.

Përveç drejtimit të “SpaceX” dhe Tesla-s, ai është bërë një zë i fuqishëm në rrjetin social X, ish-Twitter, duke komentuar shpesh çështje politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera.

Qëndrimet e tij politike kanë tërhequr vëmendje të madhe, veçanërisht pas mbështetjes që i dha Donald Trump për një mandat të dytë presidencial në vitin 2024.

Edhe pse më vonë marrëdhëniet mes tyre u përkeqësuan, Musk mbetet një figurë me ndikim të madh në debatin publik, ndërsa komentet e tij, për çështje si emigracioni kanë shkaktuar reagime dhe kritika të forta, veçanërisht në Britaninë e Madhe.

Me performancën e suksesshme të “SpaceX” në bursë, Musk jo vetëm që ka hyrë në histori si trilioneri i parë në botë, por ka forcuar më tej statusin e tij, si një nga figurat më të fuqishme dhe më të diskutuara të epokës moderne. 

EMISIONET