Big Brother Vip Shkodra/ Ngjitet në skenë shfaqja e suksesshme në sezonin e saj të dytë
Në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, është ngjitur në skenë shfaqja teatrale “Big Brother Vip Shkodra 2”. Shfaqja ka rikthyer në skenë disa prej emrave ikonikë të teatrit tonë duke përfshirë mjeshtren e Madhe, Zyliha Miloti. Publiku shkodran e ka mirëpritur shfaqjen në sezonin e saj të dytë.
“Reality show” më i famshëm televiziv prej vitesh e ka krijuar profilin e vet edhe në teatër.
“Big Brother Vip Shkodra 2” ngjiti në skenën e teatrit “Migjeni” mjeshtrat e mëdhenj Zyliha Miloti, Drande Xhaj dhe Besnik Çinari përkrah aktorëve të rinj, në role e karaktere tashmë të dashura për publikun prej personave të vërtetë të shtëpisë më të famshme në vend.
E freskët dhe plot energji në skenë, Zyliha Miloti i sfumon 77 vitet që ka mbi supe sa herë shfaqet përpara publikut.
Zyliha Miloti, Mjeshtre e Madhe: Sonte e kam ndjerë veten 20 vjeçe. Nuk e di ndoshta ngaqë kam justifikuar këtë që po them në shfaqje me këta artista të mrekullueshëm.
Arian Çuliqi, regjisor: Ndihem shumë mirë kur vi në qytetin tim, në skenën time që është teatri “Migjeni” dhe këtu kam shumë përgjegjësi për të bërë gjëra shumë të bukura që i meriton publiku shkodran.
Fritz Selmani, aktor: Në fakt isha shumë kurioz të flas për rolin e Luizotit, sepse nuk e dija se si do pritesha, duke pasur parasysh se për Luizin flitet gjithmonë e më shumë. Isha shumë kurioz, jam munduar t’i kapi çdo detaj” .
Shkodra është ndër të vetmet qytete që ka arritur të mbajë estradën profesioniste, ku brezi i ri po e trashëgon aq bukur këtë traditë.
“Big Brother Vip Shkodra 2” do të shfaqet netët në vazhdim në teatrin “Migjeni”, ndërsa kërkesat e shumta të publikut mund ta zgjasin edhe me javë të tëra këtë spektakël, siç ka ndodhur vitet e shkuara.