Akademia e Shkencave mbështet kërkesat e drejta të Preshevës

Akademia e Shkencave e Shqipërisë bëri të ditur se mbështet kërkesat dhe shqetësimet e drejta të shqiptarëve të Preshevës dhe është e gatshme të bashkëpunojë për adresimin e tyre.
Kryetari i ASH-së, kryesia e saj dhe drejtorët e instituteve pranë Akademisë së Shkencave, në takimin me kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e shoqëruar nga Agron Hasani, Gazmend Idrizi dhe prof. dr. Ilir Zylfiu, u njohën nga afër me problemet e shqetësimet me të cilat përballet komuniteti shqiptar në këtë rajon, me politikat që synojnë shpopullimin gradual e të heshtur të tij, siç janë: çështja e mosnjohjes së diplomave të dhëna nga universitetet e Kosovës; punësimi i funksionarëve e specialistëve të lartë mbi kritere e preferenca etnike në të gjitha fushat e sektorët; nxitja e emigrimit të detyruar të të rinjve; politika e pasivizimit të adresave të qytetarëve me alibi ligjore jashtë çdo praktike e standardi europian, të shoqëruara këto me një politikë diskriminuese në drejtim të zhvillimit ekonomik, arsimor e kulturor të rajonit, në raport me zonat e tjera, si dhe në trajtimin e çështjeve që lidhen me historinë, kulturën e trashëgiminë e shqiptarëve.
Në takim u theksua se nevojitet një bashkëpunim i ngushtë midis institucioneve kryesore akademike, arsimore e ekzekutive, pasi, me gjithë përpjekjet e ndërmarra deri më tani për ndërkombëtarizimin e problematikave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e më gjerë, në organizma dhe institucione ndërkombëtare, si: Organizata e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian, përsëri ato nuk kanë gjetur zgjidhjen e duhur.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë shpreh gatishmërinë për angazhimin e saj dhe të strukturave pranë saj për të bashkëpunuar në evidentimin e adresimin me argumente shkencore të problemeve të mësipërme, veçanërisht të atyre që lidhen me historinë, kulturën e arsimin, si dhe për shtrimin e rrugëzgjidhjeve pranë institucioneve kompetente kombëtare a ndërkombëtare.

Ajo vlerëson se organizimi i një strukture të posaçme do të ndihmonte dhe lehtësonte koordinimin e bashkëpunimit midis saj e institucioneve të tjera, e posaçërisht me drejtuesit dhe institucionet e komunës e të komunitetit.

