Tonin Harapi, personaliteti i rëndësishëm i muzikës shqiptare

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit kujtoi dje, në 100-vjetorin e lindjes, kompozitorin e shquar Tonin Harapi, një nga personalitetet më të rëndësishme të muzikës sonë kombëtare.

I lindur më 9 qershor 1926 në Shkodër, Tonin Harapi u rrit në një mjedis me tradita të pasura muzikore, pranë figurave të shquara si Palokë Kurti, Frano Ndoja, Martin Gjoka, Mikel Koliqi, Zef Shestani dhe Prenk Jakova, të cilët ishin edhe mësuesit e tij të parë të muzikës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ai vazhdoi formimin e tij artistik si autodidakt, përpara se të studionte në Liceun Artistik në Tiranë dhe më pas në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Për shumë vite ai dha një kontribut të çmuar si pedagog i kompozicionit në Konservatorin e Tiranës.
Krijimtaria e Tonin Harapit përfshin pothuajse të gjitha zhanret muzikore: opera, operetë, muzikë simfonike, korale e skenike, romanca, këngë për fëmijë, si dhe përpunime të muzikës popullore. Me veprën e tij, ai la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare.

U nda nga jeta në vitin 1992, kur iu akordua titulli “Artist i Popullit”. Ndërsa më 4 maj 2016 u nderua me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Që prej vitit 2019, salla e re e koncerteve në Liceun Artistik “Jordan Misja” mban emrin e tij.

