Mkhitaryan rinovon me Interin! Armeni do të qëndrojë edhe një sezon, pranoi ulje page

Henrikh Mkhitaryan ka arritur marrëveshjen për të rinovuar kontratën me Interin edhe për një vit tjetër. Mesfushori armen pranoi ulje page, ndërsa trajneri Cristian Chivu e konsideroi të domosdoshëm qëndrimin e tij në skuadër.

Mkhitaryan rinovon me Interin! Armeni do të qëndrojë edhe

Henrikh Mkhitaryan do të vazhdojë të jetë pjesë e Interit edhe për një sezon tjetër. Mesfushori armen ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës me klubin zikaltër deri në verën e vitit 2027, duke shtyrë për një vit mbylljen e karrierës së tij si futbollist.

Sipas mediave italiane, trajneri Cristian Chivu ka insistuar për qëndrimin e 36-vjeçarit, duke e konsideruar atë një element të rëndësishëm për skuadrën falë eksperiencës, cilësive teknike dhe rolit që luan në dhomat e zhveshjes.

Chivu, i cili e ka ndjekur nga afër gjatë gjithë sezonit, nuk ka dashur të humbasë një nga futbollistët më të besueshëm të grupit.

Mkhitaryan ka negociuar personalisht me drejtuesit e Interit, pa ndërmjetësimin e agjentëve apo këshilltarëve. Ai ka pranuar rinovimin e kontratës edhe pse me një ulje të pagës, e cila aktualisht është rreth 4 milionë euro neto në sezon.

Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, e ka vlerësuar lart profesionalizmin e futbollistit armen. Në një intervistë të dhënë për podcastin “Supernova”, ai deklaroi se gjatë karrierës së tij ka njohur shumë lojtarë, por Mkhitaryan është një rast i veçantë për mënyrën se si menaxhon karrierën dhe jetën e tij profesionale.

“Kam takuar vetëm një lojtar që bën gjithçka vetë dhe është mbi mesataren në çdo aspekt, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Mkhitaryan është në një dimension tjetër”, u shpreh Ausilio.

Ish-futbollisti i Borussia Dortmund, Manchester United, Arsenal dhe Roma mbetet një nga figurat më me përvojë të skuadrës zikaltër. Qëndrimi i tij konsiderohet një garanci shtesë për Interin, i cili synon të mbetet konkurrues në Serie A dhe në arenën europiane edhe sezonin e ardhshëm.

EMISIONET