Kukësi eleminohet "me nder"
Ka marrë fund edhe aventura e bukur e Kukësit në Europa Ligë për këtë sezon, duke u eleminuar me nder nga Trabzonspori. Skuadra e Armando Cungut pësoi një tjetër humbje në takimin e dytë në Turqi në shifrat 3-1. Verilindorët nuk shkuan aspak për të mbyllur aventurën e tyre, por ishin të vendosur të luftonin me mish e shpirt edhe për 90 minuta të tjera dhe këtë gjë e shfaqin që në minutat e para teksa gjejnë rrugën e rrjetës me anë të Popoviç që shfrytëzon një gabim të Erdogan, që e kthen topin gabimisht mbrapa.
Allmuça dhe Karbeci janë motor të vërtetë, duke ndihmuar ekipin të luajë mirë dhe të përballojë presionin e madh të Trabzonsporit. Reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm pas golit, duke gjetur rrugën e rrjetës me Henrikue që përfiton falë një vendosje te keqe të Kukësit në mbrojte. Më pas loja do të flasë vetëm për skuadrën turke që do të vërë disa herë në vështirësi portierin Halili. Ylli i Trabzorit, Maluda është lojtari më i rrezikshëm. Në minutën e 43 i shkëputet mirë një mbrojtësi të kuksianëve duke goditur, por Halili pak nga reflekset dhe i ndihmuar edhe nga shtylla shpëton.
Në fraksionin e dytë të lojës Progni pas vetëm 8 minutash jep edhe sinjalin e parë. Mesfushori i verlindorëve zotëron bukur topin dhe shmang në mënyrë spektakolare një mbrojtës, por më pas topi i hedhur prej tij në zonë nuk gjen asnjë lojtar të Kukësit. Pas vetëm një minute, pas një kundërsulmi të rrezikshëm, Maluda godet bukur duke e dërguar topin në rrjetë për herë të dytë dhe duke u dhënë fund shpresave të skuadrës së Cungut.
Me pas Henrikue pas një aksioni të bukur nga e majta shënon edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Trabzorin. Kështu merr fund një ëndërr e bukur me një humbje dinjitoze, por me një arritje të madhe pasi arriti të shkruajë historinë e futbollit shqiptar që në debutim duke kaluar 3 ture.
